LDK gati për qeverinë e re, kërkon aprovimin e Këshillit të Përgjithshëm për koalicion me AAK-në e Nismën

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar aprovim nga Këshilli i Përgjithshëm i Partisë të marrë aprovim për një koalicion të mundshëm me partinë e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Njoftimi iu ka shkuar të gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, të cilët do të deklarohen nëse pajtohen apo jo.

Aty kërkohet qe deri më 14 prill të përgjigjen me “PO” ose “JO” lidhur me pyetjen nëse janë të pajtimit për një koalicion me AAK’në dhe NISMA’n.

“A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet. Përgjigja:​​PO ​ose ​JO. Ju lutem që të përgjigjeni përmes e-mailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhet në njoftim

Në këtë kërkesë janë shpjeguar i gjithë procesit se si ka ardhur deri te shkarkimi i Qeverisë.

“Më 25 mars të këtij viti, me iniciativë të LDK’së, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 82 vota për dhe 32 vota kundër, miratoi mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Nga Grupi Parlamentar i LDK’së, mocionin e votuan 24 deputetë, 3 votuan kundër dhe një deputet nuk mori pjesë në mbledhje”, thuhet në e-mailin e siguruar nga Gazeta Express.

Aty përcaktohen edhe kriteret se kush mund të jetë ministër në Qeverinë e re.

“Kriter i Qeverisë së re për LDK do të jetë që asnjë anëtar i Qeverisë të mos ketë pasur dhe të mos ketë problem me ligjin, të kenë zotësi profesionale dhe të vlerësohen të pranueshëm nga qytetarët”, thuhet në kërkesë të dërguar nga Isa Mustafa për anëtarët e KP të LDK’së.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm 40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.

Të ngjashme