LDK: Haradinaj tregoi se ai nuk mund t’i shkarkojë ministrat serbë

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 17:52 | Nga Valbonë Bytyqi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në konferencë për media, ka thënë se interpelanca për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo, është mbyllur pasi që debati ka tejkaluar nga ajo çfarë është thirrur.

Hoti ka thënë se veprimi i  kryeministrit Ramush Haradinaj e bëri të qartë edhe një here se vendimet për shkarkime të ministrave serb merren diku tjetër. “Ato vendime nuk merren në Prishtinë dhe jo nga ai”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.

“Unë jam i sigurt se kryeministri do të donte ta shkarkonte, por është i pafuqishëm”.

“Ndjej keqardhje ndaj kryeministrit Haradinaj që është i detyruar të mbajë një ministër në kabinetin e tij, i cili është i akuzuar për torturë e dhunë ndaj qytetarëve të lagjes Dardania në Prishtinë”, u shpreh Hoti.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjen e IPA-së. “Çështja e dytë që dua të diskutoj është marrëveshja IPA. Kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale dhe nuk duam që marrëveshje të tilla të mos ratifikohen në Kuvend”, tha Hoti, i cili konfirmoi se LDK-ja do të kthehet nesër në Kuvend për ta votuar këtë marrëveshje, nga e cila Kosova përfiton 76 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme