LDK i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon vlerësim të balotazhit në Prishtinë

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 16:37 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vlerësimin e balotazhit në Zgjedhjet Lokale të vitit të kaluar në komunën e Prishtinës.

Kjo është bërë e ditur në një konferencë për medie nga kandidati atëkohë i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se ka të bëjë me të bëjë me të drejtën zgjedhore dhe pjesëmarrjes, si dhe me mbrojtjen gjyqësore.

“Sot unë dhe LDK-ja kemi dorëzuar një kërkesë kushtetuese e cila ka të bëjë me vlerësimin e zgjedhjeve, rundit të dytë, balotazhit në Prishtinë”.

“Ankesa kushtetuese ka të bëjë me dy nene themelore, që ka të bëjë e drejta zgjedhore dhe pjesëmarrjes, si dhe mbrojtja gjyqësore sepse ne mendojmë që disa vendime të cilat janë marrë nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme nuk i kanë trajtuar ankesat si duhet”.

Sipas Abrashit vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme janë arbitare ndaj të drejtave të tyre.

“Sipas disa juristëve të cilët e kanë trajtuar vetë lëndën mund të thuhet se janë vendime edhe arbitrare karshi të drejtave tona”.

Abarashi ka thënë se kanë respektuar afatin ligjor të parashkrimit të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo kërkesë me të gjitha faktet relevante sot është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese në kuadër të afatit ligjor i cili është prej 4 muajsh sepse edhe procesi i fundit gjyqësor ka përfunduar në dhjetor. Jemi në kuadër të afatit ligjor për parashkrimin e kërkesave në Gjykatë Kushtetuese”

Abrashi tutje ka bërë të ditur se lënda është trajtuar dhe përpunuar nga ekspertë vendor dhe të huaj.

I pyetur se a do të ketë zgjedhje të reja në Prishtinë, Abrashi ka thënë se nuk e dijnë cili do të jetë verdikti final i Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk e dimë cili do të jetë verdikti i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të ndërhyjmë në ato, ne mendojmë që dy vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme nuk kanë qenë të drejta, janë shkelur të drejtat tona”.

Abrashi tutje ka thënë se Gjykata Kushtetuese vepron sipas rasteve të ngjashme që kanë ndodhur diku në Evropë dhe për këtë kanë marrë dhjetëra raste të cilat janë trajtuar më herët nga Gjykatat Kushtetuese në Gjermani, Zvicër dhe Austri.

“Realisht kjo është një rastësi që ka ndodhur sepse që nga që nga faza e vendimit të Gjykatës Supreme kemi filluar të punojmë intensivisht, kjo i bie nga janari. Është dashur të trajtohen raste të ngjashme specifike sepse Gjykata Kushtetuese vepron sipas rasteve të ngjashme që kanë ndodhur diku në Evropë”.

LDK në kërkesën e saj ka paraqitur ku sipas saj kanë të bëjnë me shkelje kushtetuese.

“Ne kemi marrë dhjetra raste ku ka të bëjë me shkelje kushtetuese të cilat ne i kemi paraqitur më herët në PZAP dhe Gjykatë Supreme, që nga SMS-ët, bartja e votuesve, fletat e parregullta, procesi i rinumërimit i cili nuk ka ndodhur, raste të cilat janë trajtuar më herët nga Gjykatat Kushtetuese në Gjermani, Zvicër dhe Austri, janë diku dhjetëra raste që janë pjesë e kërkesës tonë. Kjo ka marrur kohë, dy muaj e gjysmë së paku”.

Të ngjashme