LDK-ja e VV-ja bojkotojnë grupin punues të Projektligjit për Mbrojtjen e ajrit, reagon PSD-ja

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 14:30 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Formimi i grupit punues për shqyrtimin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja doli të jetë “pikë sherri” për LDK-në e VV-në me Partinë Social Demokrate.

Bojkoti i LDK-së duke mos marrë pjesë në grupet punuese e as në votimet në pikat e rendit të ditës e së cilës më vonë iu bashkua edhe Lëvizja Vetëvendosje, nxiti reagimet e deputetëve të PSD-së dhe PDK-së.

Pas shqyrtimit të këtij projektligji, Besa Gaxheri nga LDK-ja bëri të ditur qëndrimin  e saj dhe të partisë që bën pjesë, raporton Ekonomia Online.

“Nuk do të jemi pjesë e grupit punues, ne do t’i japim komentet tona në kuvend”.

Qëndrimin e LDK-së e përsëriti edhe Lutfi Zharku.

“Nëse duhet me votu ndryshe në kuvend e ndryshe në komision, atëherë nuk po marrim pjesë dhe në seancë do t’i jepim komentet tona”.

Për qëndrimet e LDK-së reagoi deputeti nga PSD-ja, Salih Salihu.

“Nuk është e ndershme, mirëpo ne pa një grupi punues nga të gjitha partitë politike  nesër vijnë ligjët tjera, vijnë problemet tjera. Po ia nisni të parët tani kur po e bëjnë të tjerët po reagojnë”.

Për këtë deklaratë reagoi deputetja Gaxherri.

“Ne u deklaruam shumë qartë që nuk do të jemi pjesë e grupit punues. LDK-ja ka qëndrimet e veta nuk është e thënë që dje e kemi pas një parim e kemi rënë prej atij parimi….”

“LDK nuk do të marrë pjesë në procesin e votimit në asnjë pikë të rendit të ditës”.

Për deklaratën e Salihut reagoi edhe deputeti Salih Zyba.

“Na e kem të qartë edhe për qëndrimin tonë. Unë nuk kam nevojë me u bo avokat i qeverisë. Na kem qëndrim dhe do të kontribuojmë, nuk jem kundër funksionimit të ligjit”.

Deputetja nga PDK-ja, Ganimete Musliu, tha se pret nga LDK-ja që rekomandimet e tyre t’i paraqesë në seancë, ndërsa për bojkotin tha se e respekton, raporton EO.

“Unë po e përshëndes qëndrimin politik të dy partive. Për mua më parimore është mos me marrë pjesë në komision edhe mos me votu, sesa në komision kanë votu kanë dalë kundër vetes. Jam për me qenë bashkëpunëtorë me të gjithë”.

“Përderisa ne e kemi një grup punues në do ta qesim në votim.. Ftoj që rekomandimet e tyre të japin përmes seancës plenare. Ju uroj punë të mbarë por fundi ka me tregu diçka tjetër”.

Ndonëse LDK-ja dhe VV-ja nuk morën pjesë në votim, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, me 6 vota për formoi grupin punues.

Paraprakisht për të prezantuar projekligjin, në komision ishte Nezafete Hakaj, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Hakaj tha se ky projektligj është krejtësisht i përpunuar nga ai paraprak.

“Ky projektligj ka për qëllim të rregullojë dhe sigurojë të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis të pastër. Adreson të gjitha çështjet me krijimin e sistemit të qëndrueshëm. Në këtë projektligj do të definohen më mënyrë të qartë përgjegjësitë e institucioneve për mbrojtjen e ajrit”.

Pas prezantimit të projekligjit nga MMPH-ja,  anëtarët e komisionit shprehën qëndrimet e tyre.

Deputetja Ganimete Musliu tha se fillimisht për shqyrtimin e këtij projektligji do të duhej të formohej një grup punues e pastaj të shqyrtohet me sponsorizuesit e projektligjit, raporton EO.

“Derisa ne nuk e kemi trajtu si grup jemi paska të hendikepuar që të shtojmë diçka sa i përket ligjit. Sot krejt çka mujna me bo është që të formohet një grup punues e ai grup punues t’i prezantojë rekomandimet”.

Muharrem Nitaj tha se projektligjin mund ta përkrahin në parim e pastaj ta shqyrtojnë atë.

“Më është thënë se nuk është e nevojshme formimi i grupit punues se do t’i japim një votë në parim. Doli një propozim nga deputetja Musliu përpara se të procedojmë tutje të krijojmë një grup punues”.

Ndërsa Besa Gaxherri shprehi skepticizëm lidhur me atë se sa ka punuar qeveria për përmirësimin e ajrit në vënd.

“Ky ligj është i domosdoshëm, uroj që çështja e cilësisë së ajrit të ndryshojë për Kosovën. Dyshoj shumë që kjo qeveri ka punu për me pasë këtë vit një ajër më të mirë”.

Edhe deputeti Salih Salihu tha se projektligji nuk do të duhej të votohej pa u shqyrtuar fillimisht në grupin punues të komisionit.

“Ne nuk mundemi sot pa e votu pa e lexu, me formu një grup punues sot pastaj me votu së pari. Nuk kemi nevojë me i marrë si tendencioze, por qëllimi është që ta bëjmë një grup punues kemi nevojë për me u konsultu në ekspert të fushës se asnjëri nuk jemi prej kësaj fushe”.

Të ngjashme