LDK-ja kundër keqpërdorimit të parasë publike, kritikon Veselin për numër të madh të këshilltarëve

Prishtinë | 05 Qer 2018 | 12:25 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kohën e rezervuar për deklarime jashtë rendit të ditës, në seancën plenare u diskutua shfrytëzimi i parasë publike.

Driton Selmanaj, në emër të GP të LDK-së tha se është i pakënaqur me mënyrën e shfrytëzimit të parasë publike, raporton Ekonomia Online.

Ai e akuzoi kryetarin e Kuvendit se po abuzon me paranë publike duke punësuar numër të madh të këshilltarëve ku shuma për paga dhe mëditje të tyre, sipas Selmanajt, kap shifrën afër gjysmë milioni në vitin 2017.

Ai tha se Zyra e kryetarit të Kuvendit nuk i ka dhënë përgjigje për qasje në dokumente të tyre dhe për shkak të kësaj është detyruar të kërkojë raportet në Agjencinë Kundër Korrupsion.

“Në emër të Grupit Parlamentar shprehi pakënaqësinë për mënyrën e shpenzimit nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kam kërkuar të marrë përgjigjje në disa pyetje: Sa është numri i këshilltarëve të kryetarit?; Sa janë shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile, shpenzimet e udhëtimeve, shpenzime për karburante… Unë nuk kam marrë përgjigje për këtë”.

“Kam kërkuar përgjigje nga Shefi i kabinetit Blerand Stavileci, por ai ka kohë që nuk del në zyre. Dikush thotë se është i sëmurë e disa thonë se është jashtë vendit, por ai prapë paguhet. Edhe pse jam kryetar i komisionit për mbikëqyrjen e financave publike kam të derjtë të marrë informata dhe u detyrova t’i gjejë ato në Agjencinë Kundër Korrupsion, nëse unë si deputet nuk kam qasje atëherë të tjerët çfarë?”

Sipas Selmanajt, kryetarët e kaluar kishin numër më të vogël të këshilltarëve: Nexhat Daci 2 këshilltarë, Jakup Kransiqi 7 këshilltarë, ndërsa Kadri Veseli 15 këshilltarë dhe 8 ndihmës, raporton EO.

“Nuk ka rëndësi numri po të kuptoja se çfarë punojnë ata. D.m.th. kryetari ka një këshilltar më pak se kryeministri, a po shtyhen në mes vete apo çfarë. Cila është kostoja vetëm për paga dhe mëditje? Shpenzimi arrin deri në 508 mijë e 689 euro, për shpenzime të telefonisë mobile 6050 euro”.

“Kostoja totale për këshilltarët politikë kap shifrën mbi gjysmë milioni, rreth 554 mijë euro. Po ashtu njëra ndër këshilltarët e kryetarit që gjendet në ShBA dhe nuk është në punë qe 5 muaj dhe ende paguhet. Puna më joshëse në institucione është të punosh afër Kryetarit të Kuvendit, punove apo jo”.

Driton Selmanaj kërkoi të merren masa për mosabuzim me para publike.

Të ngjashme