LDK-ja nesër mbledh Grupin Parlamentar dhe Kryesinë

Prishtinë | 05 Jan 2020 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se të hënën, më 6 janar, do të mbajë mbledhjen e Grupit Parlamentar si dhe mbledhjen e Kryesisë së partisë në selinë qendrore.

Në njoftimin e LDK-së bëhet e ditur se mbledhja e Grupit Parlamentar do të nisë në orën 13:00, ndërsa një orë e gjysmë më pas do të mbahet mbledhja e Kryesisë.

Mbledhjet do të mbahen në të njëjtën ditë kur pritet edhe takimi mes kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi për konsultim për mandatar të qeverisë.

LDK-ja e Vetëvendosje kanë biseduar qe një kohë të gjatë për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje. Një gjë e tillë s’është arritur për shkak të mospajtimeve për postin e presidentit, që do të zgjidhet më 2021. Pavarësisht mospajtimit për bashkëqeverisje, më 26 dhjetor në seancën konstituive të Kuvendit LDK-ja votoi pro Glauk Konjufcës së Vetëvendosjes për kryeparlamentar. Të dyja partitë kishin thënë më pas se do t’i vazhdojnë bisedimet për arritjen e marrëveshjes.

Të ngjashme