LDK-ja nuk e ka marrë Platformën për Dialogun, do të dalë me qëndrim zyrtar

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 11:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se ende nuk e kanë marrë Platformën për Dialogun nga Ekipi Negociator, por se do të dalin me një vlerësim pasi ta kenë atë.

“I ashtuquajturi Grup Negociator ka thënë se do t’ia dërgojë Platformën e Dialogut edhe dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së dhe VV-së”.

“Ende nuk na është dorëzuar zyrtarisht, sapo të na dorëzohet Grupi Parlamentar dhe Komisioni do ta analizojë dhe do të japë vlerësimin e tyre. Sa i përket votimin në Kuvend është vendim i deputetëve sipas mandatin që kanë marrë”.

Mustafa ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e LDK-së mbi dialogun duke thënë se kufijtë nuk duhet prekur.

“Qëndrimi i LDK-së sa i përket dialogut është që të vazhdojë procesin e normalizimit me Serbinë dhe të ketë njohje reciproke si rezultat dhe kufijtë, integriteti dhe sovraniteti i Kosovës të jetë ai i vitit 2008”.

Ai ka kritikuar koalicionin qeverisë, i cili sipas tij, po përpiqet t’i mbulojë dështimet, duke e quajtur këtë vit të ekonomisë.

“Edhe dy ditë do të festojmë 11 vjetorin e pavarësisë dhe ky koalicion qeverisës, si rëndomë, për të mbuluar dështimet e tij në një fushë sajon një fushatë e një slogan, për të na qitur hi syve. Sivjet, në vend që të ju kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për të gjitha dështimet drejt zhvillimit socio-ekonomik të vendit dhe të punojë me zell për të përmirësuar jetën e qytetarëve, Qeveria ka vendosur edhe një herë të mbulojë dështimet e saj duke e shpallur vitin 2019 ‘vit të ekonomisë'”.

“Natyrisht, prapa “vitit të ekonomisë” nuk ka asnjë program zhvillimor, asnjë masë zhvillimore, por thjeshtë një shou mediatik, me vizita të qeveritarëve plot kamera te kompanitë kosovare, të cilat mbesin në po të njëjtën gjendje mjeruese pasi që qeveritarët dhe kamerat të shkojnë në shtëpi”.

Sipas tij, dështimet në Telekom dhe në ndërmarrje tjera janë dhjetëra e qindra miliona euro humbje.

“Telekomi i Kosovës është në kolaps total. Po të ishte kompani private, bazuar në performancën financiare ku çdo vit gjeneron humbje pas humbje, Telekomi do të falimentonte qëmoti. Përveç këtyre humbjeve vjetore dhe rritjes enorme të mbipunësimit të militantëve partiak të koalicionit PAN, tanimë siç duket Telekomi do të detyrohet të i paguajë kompanisë Z-Mobile 30 milionë euro, duke i shtuar edhe kamatën edhe shpenzimet e përfaqësimit”.

“Në vend që Qeveria të ndëshkojë përgjegjësit për shkatërrimin e vazhdueshëm të Telekomit, ajo tani ka paralajmëruar që po merr një kredi prej 25 milion euro për t’i paguar dështimet korporative të Telekomit dhe dështimet mbikëqyrëse të Qeverisë. Dështimet korporative të shumë ndërmarrjeve publike dhe dështimet mbikëqyrëse të Qeverisë mbi këto ndërmarrje publike janë skandaloze, duke i shkaktuar qytetarëve të Kosovës dhjetëra e qindra miliona euro humbje”.

Mustafa poashtu tha se kanë rënë investimet e huaja, por edhe eksporti.

“Në vitin 2018 kemi importuar 2,972 miliardë euro më shumë se që kemi eksportuar, që i bie që deficiti tregtar në 2018 ka qenë 303 milion euro më i lartë së në 2017. Pra, duke ju falënderuar politikave ekonomike shkatërruese të kësaj Qeverie, kompanitë kosovare janë lënë anash dhe nuk po munden t’i bëjnë konkurrencë kompanive të huaja, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”.

:Investimet e huaja direkte për 12 muaj deri në nëntor 2018 kanë rënë për gati 9%, apo 21,2 milion euro. Pra, kompanitë e huaja po e shohin Kosovën si një shtet me rrezik të lartë politik e me korrupsion në ngritje, andaj edhe nuk po i investojnë fondet e tyre në Kosovë, nuk po krijojnë vende pune në Kosovë, por po shkojnë në shtete ku Qeveria përkujdeset ta zhvillojë sektorin privat, e jo ta ngulfasë atë”.

Të ngjashme