LDK-ja nuk pajtohet me AAK-në për vettingun, VV-ja me asnjërën

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Qëndrime të kundërta për vettingun në drejtësi kanë dhënë brenda pak ditësh dy partitë në koalicion që synojnë të formojnë Qeverinë e re, LDK-ja dhe AAK-ja.

Për dallim nga i nominuari i AAK-së për ministër të Drejtësisë, Selim Selimi, që ka paralajmëruar anulim të verifikimit të së kaluarës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, Florian Dushi nga LDK-ja thotë se ky proces do të vazhdojë, raporton KOHA.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së shton se në sektorin e drejtësisë nuk kanë dallime me partnerin e koalicionit dhe se kanë harmonizuar programin.

Por, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se as LDK-ja e as AAK-ja nuk janë të interesuara që të ketë verifikim në drejtësi.

Sipas saj, këto parti duan të kenë këtë gjendje jo të mirë të sistemit të drejtësisë.

Haxhiu e sheh shqetësuese deklarimin e të propozuarit për ministër të Drejtësisë.

Më 28 shkurt, Qeveria në detyrë Kurti krijoi grupin e ekspertëve prej 10 anëtarëve për hartimin e skenarëve dhe elementet e reformës së vetingut në drejtësi.

Të ngjashme