LDK-ja refuzon takimin me Kurtin, Hoti kërkon Qeveri të re për t’u përballur me Coronavirusin

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Anëtari  i Kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, e ka refuzuar kërkesën e Albin Kurtit për një takim mes liderëve të vendit për t’u përballur me pandeminë.

Në një postim në Fb, Hoti ka thënë se Kryeministri i shkarkuar i ka ditët e numëruara në krye të Qeverisë prandaj s’mund të mbajë takime të tilla.

“Vleresoj se nuk ka nevoje per tryeze politike me nje qeveri qe i ka ditet e numeruara, e rrjedhimisht nuk mund te marre kurrfare zotimesh, dhe qe dy here radhazi e shkel kushtetutën”, ka shkruar ai.

“Prandaj, edhe kjo tryeze qe ka ftuar nuk sherben per asgje. Sepse ai nuk eshte i gatshem te punoje me te tjeret, sic u pa ne 52 dite te qeverisjes me qendrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, qe quan ne nderprerjen e bashkepunimit me LDK dhe shkarkimin e tij”, ka shtuar Hoti.

Hoti ka folur edhe për masat e marra nga Qeveria, duke thënë se Kurti gjithçka kishte vendosur krye në vete.

“Masat per kufizim te levizjes jane marre pa u konsultuar me askend. Sa une isha ne qeveri, personalisht i pata kerkuar te mos e nenshkruante ate vendim, sepse kishim dyshime per shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit te Gjykates Kushtetuese, ky ndermori masa ne kundershtim me ate aktgjykim si dhe masa per mbeshtetje per biznese prape pa konsultim me askënd”, ka shtuar ai.

“Ne fakt, plot vendime te qeverise imponoheshin nga ai pa asnje konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat ne makineri votimi. Pak humor, por eshte fakt se disa here me pare kane ardhur ministrat ne takimin e qeverise e mandej iu eshte shperndare agjenda e takimit”.

Ish-Zëvendëskryeministri i Parë ka thënë se duhet një qeveri që bashkëpunon me të gjithë për të tejkaluar sfidat ekonomike pas pandemisë.

“Prandaj, duhet te themelohet sa me pare nje Qeveri e re qe nuk e shkel kushtetuten, qe eshte profesionale, komunikuese me te gjithe, me mentalitet demokratik, qe nderton konsensus shoqeror, qe bashkepunon me bizneset, akademine, shoqerine civile dhe ne vecanti me miqte nderkombetare, per te tejkaluar krizen me pandemine dhe per te rimekembur ekonominë”.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm  40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte  Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme