LDK-ja s’po i tregon LV-së se cilën Ministri ia jep kur ta marrë Presidentin

Prishtinë | 22 Dhj 2019 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po arrijnë që të kapërcejnë dallimet për postin e presidentit.

Në fundjavë liderët e të dy partive nuk janë takuar, por një takim i së premtes e ka lënë në të njëjtën gjendje diskutimin për arritjen e marrëveshjes qeverisëse.

Një burim në LVV i ka thënë Kohës Ditore se kjo parti do që në marrëveshjen e koalicionit, që synohet të mbërrihet mes këtyre dy subjekteve politike, pika që i referohet presidentit të ketë formulim “neutral”, ndërsa LDK-ja këmbëngul që taksativisht t’i përshkruhet e drejta asaj për ta dhënë propozimin.

“Ne insistojmë që posti i presidentit, ose të mos përfshihet fare në marrëveshje, ose të ketë një formulim me gjuhë neutrale. Ky formulim nënkupton që të përfshihet një fjali, në të cilën theksohet që të dyja palët si partnerë do të përkushtohen në gjetjen e një personaliteti si kandidat për president”, ka thënë ky burim.

Burimi në LVV ka thënë se subjekti që e shohin partner në qeverisje, refuzon që në marrëveshje të ketë formulim neutral për këtë post.

“Ata nuk po pranojnë”, ka thënë ky burim. “Po kërkojnë që në marrëveshje të përfshihet një pikë, në kuptim të zotimit tonë për ta përkrahur kandidatin e tyre”.

E një burim tjetër ka thënë se LDK-ja nuk është e interesuar për marrëveshje, pasi, sipas tij, kërkesat e saj janë “të pakapërdishme”. Sipas tij, kjo parti do kontroll mbi politikën e jashtme e drejtësinë nëpërmjet presidentit që ka të drejtën e dekretimit të ambasadorëve e gjykatësve dhe prokurorëve, kontrollin në Kuvend nëpërmjet kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të parë, dhe kontrollin në mekanizmat e sigurisë, duke e mbajtur Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Tash thonë: Na e lini të drejtën e propozimit të presidentit dhe ne ua japim një ministri, kur të vijë në rend dite zgjedhja e kreut të shtetit. Por, as nuk ta tregon emrin e kandidatit për president dhe as nuk të tregon se cilën ministri do ta lëshojë”, ka thënë ky burim.

Pas takimit që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës në orët e pasdites të së premtes, përpara gazetarëve nuk ka folur as Kurti dhe as Mustafa, por as eksponentë të partive që ata përfaqësojnë. Herëve të tjera kryesisht deklaroheshin për pajtimin e mbërritur për t’u takuar sërish. Megjithëkëtë, burimi brenda LVV-së ka thënë se pritjet janë që të ketë takime edhe para 26 dhjetorit, datë për të cilën presidenti Thaçi e ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit.

Të ngjashme