LDK: Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët, nuk guxojmë të sillemi si sot

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 22:03 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të sotëm, në Bruksel, të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj.

“Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

“Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, siç ndodhi sot”, thekson LDK.

“Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje”.

LDK rikujton se Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje.

Të ngjashme