LDK mban tubim “masiv” edhe në Mitrovicë

Mitrovicë | 07 Maj 2017 | 19:09 | Nga

Në praninë e qindra qytetarëve, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, ka shënuar 27-vjetorin e themelimit.

I pranishëm në këtë manifestim masiv, sikur e ka quajhtur LDK-ja, kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen se kjo përkrahje siguron që LDK-ja në zgjedhjet lokale që do të mbahen sivjet do të udhëheq me Komunën e Mitrovicës.

“Kemi forcë, kemi unitet, kemi dije por kemi edhe orientim shumë të mbarë që Mitrovica si pjesë shumë e rëndësishme e Kosovës të zhvillohet ashtu siç e meriton”, tha lideri i LDK-së.

Kryetari Mustafa shprehu përkushtimin për zhvillimin e Trepçës ashtu siç po zhvillohet Kosova, duke theksuar rëndësinë e saj për tërë Kosovën.
Duke folur për ata që po e kundërshtojnë Ligjin për Trepçën, ai tha se ky Ligj iu siguron minatorëve të Trepçës dinjitet, iu siguron perspektivë, iu siguron zhvillim.

“Ne do ta përkrahim këtë zhvillim deri në fund sepse ne mendojmë se Trepça duhet të zhvillohet, të ndërtohet dhe vetëm ata qe nuk ia duan të mirën këtij vendi e mendojnë Trepçën ndryshe”, tha i pari i LDK-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Më tutje, kryetari Mustafa foli për punën e bërë deri më tani në zhvillimin ekonomik, duke arritur normën më të lartë në rajon, duke ulur papunësinë dhe varfërinë, duke siguruar pensione të dinjitetshme, duke siguruar pensione për veteranët e luftës pas 15 vjetësh, duke siguruar buxhetin më të madh që ka pasur Kosova ndonjëherë, dukë nxitur që të punohet çdo pëllëmbë toke e Kosovës.

“Kemi punuar shumë dhe kemi rezultate të mëdha në luftën kundër korrupsionit e krimit, sepse atyre që janë mësuar të pasurohen me paranë publike do t’ia shtjerrim mundësinë që mos të bëjnë këtë”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se këto të arritura janë rezultat i punës së koalicionit qeverisës në tërësi.

Mustafa tha, po ashtu, se LDK nuk frikësohet nga vota e qytetarëve por se qeverisja ka një rend i cili duhet të respektohet.

“Në qofte se qytetari i Kosovës dëshiron të ketë qeveri të pa korruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës duan të kenë ministra të pakorruptuar, në qoftë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë ministra që e dinë punën e vet dhe që e bëjnë punën e tyre, një qeveri qe ka marrëdhënie shumë të mira me institucionet e Bashkimit Evropian, me SHBA-të, me institucionet financiare ndërkombëtare, atëherë ata e dinë zgjedhjen e tyre”, tha ai.

Kryetari Mustafa shprehu edhe përkushtimin e LDK-së që të marr vendime në partneritet me SHBA-të dhe partnerët tjerë euroatlantikë.
Duke përkujtuar kontributin e tyre në themelimin e shtetit të Kosovës, kryetari Mustafa tha se edhe kufijtë e këtij vendi janë vënë me SHBA-të dhe me NATO-n.
“Ata që mendojnë që ne duhet të rikonfigurojmë kufij tjerë jashtë SHBA-ve dhe jashtë NATO-së, vetëm sa mund të na dëmtojnë edhe neve edhe veten sepse këta janë kufijtë, kjo është miqësia jonë me SHBA-të dhe kjo është garancia për kufijtë tanë. Ne jo vetëm që i kemi vënë kufijtë me SHBA-të por ne jemi marrë vesh që këta kufij t’i ruajmë bashkërisht me SHBA-të dhe me NATO-n”, tha kryetari Mustafa, duke shprehur besimin që njerëzit e LDK-së në këtë aspekt do të jenë unik dhe të përgjegjshëm ndaj vendit, qytetarëve, ndaj partneritetit ndërkombëtarë dhe ndaj ardhmërisë së Kosovës.

Më tej, kryetari Mustafa tha se uniteti do t’i siguroj LDK-së edhe fitoren në Mitrovicë dhe më gjerë, duke uruar veprimtarët e LDK-së për këtë përvjetor dhe duke i falënderuar për kontributin që po japin për LDK-në.

Kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, në fillim të tubimit ka përkujtuar dhe ka kërkuar një minutë heshtje për Ermal Kamberajn, të riun që u vra para dy ditësh në Mitrovicë.

Më tej, kryetari Kamberi shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuuar për themelimin dhe avancimin e LDK-së në Mitrovicë.

Kamberi më tej foli për aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të Degës së LDK-së në Mitrovicë, duke theksuar përkrahjen në rrije të të gjithë qytetarëve të Mitrovicës pa dallim moshe e gjinie dhe profesioni për LDK-në, duke shprehur njëkohësisht besimin se LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në Mitrovicë.

Tubim të madh, LDK-ja mbajti sot edhe në Ferizaj. Prej atje, Mustafa porositi ata “që po kërkojnë zgjedhje që ta shohin përkrahjen e qytetarëve dhe të anëtarësisë për LDK-në”.

Të ngjashme