LDK mbyll fushatën në Prishtinë, Ahmeti po e përfundon mandatin me propagandë

Prishtinë | 17 Nën 2017 | 18:17 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e së dielës për për kryetar të Prishtinës.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi, akuzoi kundërkandidatin e tij nga Vetëvendosje se e kishte fituar mandatin me propagandë dhe po vazhdon ta bëjë këtë.

“Shpend Ahmeti e fitoi dhe përfundoi mandatin me propagandë”, theksoi Abrashi.

Abrashi tha se qeverisja aktuale nuk ndërtoi dhe nuk zhvilloi asgjë.

“Unë vlerësoj çdo punë të mirë që është bërë në qytetin tonë, sheshet, rrugët, parqet shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, drunjtë dhe lulet e mbjella. Qytetarët janë ata që vlerësojnë se çfarë është punuar dhe çfarë nuk është punuar. Çfarë është punuar mirë dhe çfarë është punuar keq. Do të dëshiroja që në mandatin e kryetarit në shkuarje të ishte punuar ashtu siç ishte premtuar, ashtu siç ishte zotuar, por kjo nuk ndodhi. Ai e fitoi mandatin me propagandë dhe ai e përfundon mandatin me propagandë. Ditën e mirë e ka”, ka thënë Abrashi.

Ai u zotua për shkolla të reja dhe arsim cilësor. Tha se do të ndërtoj unazën e qytetin dhe do të zgjidhe problemin e parkingjeve.

“Qeverisja ime, në bashkëpunim me partnerët tanë do të jetë qeverisje e punëve të mëdha dhe projekteve të mëdha, do të jetë qeverisje me vizion për një Prishtinë metropolitane, e cila do të zhvillojë edhe komunat përreth dhe do të jep impulse zhvillimi gjithë Kosovës. Nuk do të bëjmë punë sot për nesër, por do të bëjmë punë për të ardhmen e Prishtinës. Unë i kam hyrë garës për Prishtinën me një vizion optimist dhe shpresëdhënës për Prishtinën. Vizioni in është Prishtina e zhvilluar dhe miqësore, një Prishtinë që e duam për familjet tona, këtë po e shoh në tubimet madhështore, po e shoh në çdo mjedis”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se sot e filluan këtë takim falënderimi me këngë, sepse kemi arsye, i këndojmë ardhmërisë sonë, besimit në punë të mëdha, këndojmë sepse jemi një vend i lirë dhe i zoti për vendin tonë, për Kosovën për Prishtinën.

Ai tha se është zotuar para qytetarëve se do ta ndërtojë dhe zhvillojë Prishtinën. “Do të bashkëpunojmë me secilin qytetar dhe me të gjitha institucionet e vendit, që Prishtinën ta bëjmë kryeqytet me të gjitha vlerat që i takojnë, kryeqytet që do t’ju konkurrojë qyteteve evropiane, sepse ne synojmë Bashkimin Evropian”, pohoi ai.

“Si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunojë me të gjitha kryeqytetet evropiane, me New Yorkun dhe Washingtonin dhe me miqtë tanë që na lidhi presidenti ynë historik, Ibrahim Rugova. Ne do të bëjmë ndryshime dhe këtë ndryshim e garantoni ju që jeni sonte bashkë me ne dhe gjithë ata njerëz vullnetmirë nga parti të ndryshme që u bënë bashkë me ne”, potencoi Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën ka thënë se së bashku me qytetarët do ta pensionojnë dembelinë e qeverisjes aktuale, e cila për katër vite nuk ndërtoi asnjë shkollë, asnjë institucion shëndetësor, asnjë qendër sportive dhe asnjë projekt tjetër të madh për Prishtinën.

“Prandaj të dielën ju ftoj të dilni të votoni për ndryshimin pozitiv që i duhet Prishtinës”, përfundoi ai.

Mustafa fton edhe anëtarët e AKR-së ta votojnë Abrashin

Kreu i LDK-së Isa Mustafa gjatë tubimit përmbyllës të fushatës për balotazhin e 19 nëntorit tha se LDK është e vetmja mundësi për Prishtinën.

“Jemi bashkë që të bëjmë ndryshime. Ne AAK dhe aleanca jonë jemi bashkë”,

Ai ftoi edhe votuesit e AKR-së që ta votojnë Arban Abrashin, për të cilët tha se në zgjedhjet qendrore u betuan bashkë me LDK-në.

“Edhe njerëzit e Aleancës Kosova e Re, ata që u betuan në këtë sallë në emër të Ibrahim Rugovës në zgjedhjet e 11 qershorit, pres që sot të votojnë për Arban Abrashin”, tha ai.

Ai e akuzoi kryetarin aktual për shkatërrimin e qytetit. “Nuk e ka vendin në krye të Prishtinës dikush që nxjerr gurë nga qyteti për ta gjuajtur qytetin e vet”, tha Mustafa.

Mustafa u premtoi qytetarëve që kandidati i tyre do të i mbajë të gjitha premtimet.

“LDK ka vënë themelet e pasluftës në ndërtimet e Prishtinës por kemi pasur edhe vërejtje por iu garantoj juve qytetarë të Prishtinës, ju garantojmë që Arban Abrashi do ti mbajë premtimet”, tha ai.

Të ngjashme