LDK mbyll fushatën në Prishtinë, pret “fitore historike”

Prishtinë | 20 Tet 2017 | 20:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të premten në Prishtinë, se ky tubim madhështor dhe qindra të tjerë që janë mbajtur në çdo cep të Kosovës, paralajmërojnë për fitoren historike të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 22 tetor.

“Entuziazmi që kanë manifestuar qytetarët e mrekullueshëm të Kosovës në tubimet e takimet e shumta që kemi zhvilluar këto ditë të fushatës parazgjedhore, janë sinjal i fitores së sigurt të LDK-së. Fitorja e LDK-së në Prishtinë dhe në të gjitha komunat tjera, e ‘Lidhë’ nyje dhe e siguron trajektoren e rrugëtimit të Kosovës drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. Fitorja e LDK-së e ndalë keq-qeverisjen, zhvatjen, korrupsionin, kërcënimin, arrogancën e paranoizmin e rivalëve tanë politikë”, ka thënë Mustafa.

Ai pohoi se LDK-ja do të fitojë në këto zgjedhje, sepse qytetarët e Kosovës janë bindur që është zgjidhja më e mirë për qeverisje të pastër dhe të efektshme të komunave të Kosovës.

“Qytetarët tashmë e kanë të qartë sepse krejt zhvillimet e pasluftës në Kosovë janë argument se e vetmja forcë politike që u ka qëndruar besnikërisht interesave të tyre dhe interesit të Kosovës është Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja nuk e ka keqpërdorur vullnetin e qytetarëve të saj. Por, rivalët e saj politikë e kanë keqpërdorur vullnetin e LDK-së për t’i kontribuar Kosovës. Prandaj, kësaj radhe, LDK-ja kërkon me të drejtë, mbështetjen qytetare për t’ua pamundësuar këtyre keqpërdoruesve të vazhdojnë ta keqpërdorin LDK-në dhe Kosovën”, tha Mustafa.

Sipas tij, kudo ku ka qeverisur, LDK-ja ka dëshmuar se punon për interesin e qytetarëve. “LDK-ja, në nivel lokal dhe në nivel qendror, ka dëshmuar se është e vetmja parti politike që e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, që e rrit buxhetin dhe që e ndanë atë proporcionalisht dhe pa e diskriminuar askë”, tha ai.

Kreu i LDK-së, ka thënë se kjo parti nuk ka bashkëjetuar dhe nuk do të bashkëjetojë me krimin e korrupsionin, prandaj rivalët tanë e kanë të vështirë të punojnë me ne, sepse nuk mund ta durojnë vullnetin e LDK-së për të punuar drejt, me transparencë dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Duke e qenë e tillë, e sinqertë dhe e vendosur, LDK-ja, ballëhapur, sot u del përpara qytetarëve të Kosovës, për të kërkuar prej tyre mbështetje për ta ndryshuar kursin e Kosovës. Kosova e shpërthen stagnimin dhe izolimin vetëm duke u udhëhequr nga LDK-ja. Sepse, duke qenë e vetmja anëtare e Familjes së Partive Popullore Evropiane, LDK-ja e udhëheqë Kosovën kah vlerat perëndimore”, tha Mustafa.

Ai tha se LDK-ja është pasqyrë e Kosovës, ku bashkëjetojnë “Të Lidhur” brezi i bashkëpunëtorëve të presidentit Ibrahim Rugova, ai që e ndërtoi shtetin e Kosovës dhe brezi që do ta çojë përpara synimin për ta bërë Kosovën shtet të zhvilluar e demokratik. Për ta integruar në NATO e në Bashkimin Evropian, për ta bërë partnere dhe mike të denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për t’i arritur këto synime, që janë synime për Kosovën, LDK-së i duhet mbështetje edhe përtej saj. I duhet mbështetje gjithpopullore, të cilën këto ditë nëpër tubimet tona, kemi parë që e kemi fituar. LDK-së i duhet, sidomos mbështetja e të rejave dhe të rinjve të Kosovës, që janë pasuria e këtij vendi. Sepse modeli i qeverisjes së LDK-së është e vetmja alternativë për të rinjtë e Kosovës. Modeli ynë nuk i mashtron të rinjtë, duke i joshur me përfitime të pamerituara. Por, u krijon hapësirë zhvillimi e perspektivë. Modeli ynë i qeverisjes nuk i mashtron ata për t’u konfrontuar me aleatët tanë”, tha Mustafa.

Ai shtoi se të rejat dhe të rinjtë tanë, të ardhmen e tyre e kanë në LDK, sepse, vetëm LDK i ka dyert e hapura për ta, ua hapë dyert dhe i ‘Lidhë’ me krejt botën.

“Alternativat tjera i kanë të zymta. Janë të LIDHURA vetëm me degradimin e izolimin. Ne i ftojmë të rinjtë tanë t’i bashkohen sa më shpejt vizionit të LDK-së për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës. Sepse Kosova është e tyre, siç është sot LDK-ja e të rinjve të Kosovës. Ne nuk i thërrasim të rinjtë, sikur të tjerët, për t’u bërë pjesë e skemave kriminale e të korruptimit. Nuk i thërrasim të rinjtë, sikur të tjerët, të bëhen pjesë e skemave paranojave dhe të rrezikshme për orientimin civilizues të Kosovës. Por, i thërrasim ta udhëheqin Kosovën e sotme drejt një Kosove euro-atlantike”, tha Kreu i LDK-së.

Abrashi: Me fitoren tonë ndërpritet degradimi, nis fryma e re e zhvillimit dhe prosperitetit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të premten në tubimin qendror në Prishtinë, se pas fitores në zgjedhjet e së dielës në kryeqytet do të përfundojë degradimi dhe do të nisë një frymë e re e zhvillimit dhe prosperitetit.

“Të gjithë ne bashkë kemi një synim shumë të rëndësishëm para nesh. Këto zgjedhje janë edhe zgjedhje kulturash, jo vetëm programesh. Në një anë kemi kultura të mohimit, përbuzjes dhe rrugaçërisë, që janë instaluar nga disa në diskursin tonë publik. Dhe kjo duhet të çrrënjoset. Sepse nuk mund të ndërtojmë duke rrënuar. Ne përfaqësojmë kulturën e ndërtimit, të prosperitetit, të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë. Kultura jonë u shërben qytetarëve dhe atdheut tonë”, ka thënë Abrashi.

Ai potencoi se ne nuk i zhvatim qytetarët dhe pasurinë e tyre, sepse Kosova nuk ka kohë të lejojë më provat e atyre që e kanë kapur shtetin dhe as të atyre që nuk janë të denjë për shtetin dhe qytetarët.

“Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës është garantuese e interesave civilizuese pro-perëndimore të Kosovës. Prandaj, ju ftoj që më 22 tetor të dilni në zgjedhje dhe të bëheni pjesë e fitores së madhe të LDK-së në gjithë Kosovën. Ta ruajmë e forcojmë secilën prej komunave që e çkapëm në vitin 2013. Të çkapim sa më shumë komuna këtë vit. Mundësisht të gjitha komunat e Kosovës. Në mënyrë që shumë shpejt pas këtyre zgjedhjeve, ta vazhdojmë procesin e çkapjes së shtetit tonë”, ka thënë Abrashi, duke folur në emër të kandidatëve të LDK-së për kryetarë të komunave.

Ai ju ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të të gjitha komunave, në çdo lagje dhe fshat që ta votojnë numrin 47 sepse vetëm ai është “Lidhja me ju”, lidhje me zhvillim, punësim, arsim e shëndetësi më cilësore, mbrojtje më të mirë të mjedisit etj.

“Më besoni, është një ndjenjë e mrekullueshme të jesh përkrah këtyre grave e burrave, kandidatë të përkushtuar për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës si kryetarë të ardhshëm të komunave të Kosovës dhe si këshilltarë të kuvendeve komunale. E posaçërisht është një privilegj i jashtëzakonshëm, që ta jep vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, që në emër të tyre t’u drejtohem juve qytetarë të mrekullueshëm, që sonte i keni dhënë hijeshinë që e meriton Prishtina, Ulpiana Antike, kryeqyteti i Dardanisë Antike, siç e quante Presidenti Rugova”, tha kandidati i LDK-së për Prishtinën.

Ai potencoi se si nikoqir t’u jap lajmin që prisni, se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta fitojë Prishtinën, sepse qytetarët e Prishtinës kanë vendosur që të jem kryetar i Prishtinës.

“Ashtu sikurse kanë vendosur edhe qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, që prej 22 tetorit të udhëhiqen prej këtyre kandidatëve të mrekullueshëm të ‘Lidhjes’ tonë Demokratike të Kosovës. Këto ditë që, secili prej nesh kemi komunikuar me Ju, qytetarë të dashur të Kosovës, kemi ndjerë dashurinë tuaj për projektin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Të ideuar nga Presidenti Ibrahim Rugova. Ne jemi pasuesit e vetëm të këtij projekti. Sepse ju e doni këtë projekt. Është projekti juaj. Është projekti jonë”, tha Abrashi.

Ai shtoi se vetëm LDK-ja e ka programin dhe njerëzit kompetentë e me duar të pastra. Këta që po shihni përpara Jush. Për të qeverisur komunat e Kosovës, në shërbim të qytetarëve.

“Kandidatët tanë janë njerëz me biografi të pastër. Profesionistë të dalluar dhe të përgjegjshëm para qytetarëve. Programi ynë për qeverisjen katër vjeçare në kryeqytet dhe në të gjitha komunat e Kosovës, nuk është i bazuar në fjalë të mëdha. Por, në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm. Entuziazmi që kemi prekur këto ditë gjatë komunikimit me Ju, na jep besim të palëkundur që më 22 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitojë bindshëm”, pohoi Abrashi.

Sipas tij, qytetarët e komunave që janë udhëhequr nga LDK-ja tashmë kanë vendosur t’ua vazhdojnë kontratat kryetarëve të tyre, ndërsa në komunat ku LDK-ja nuk ka qeverisur, qytetarët po kërkojnë kthimin e qeverisjes së mirë të LDK-së.

“Këto katër vjet që shkuan, ishin katër vite të humbura për kryeqytetin tonë. Por, po përfundojnë më 22 tetor. Sepse qytetarët kanë vendosur të mos lejojnë eksperimente aksidentale. LDK-ja po e rikthen fuqishëm Prishtinën dhe shumicën e komunave të Kosovës. LDK-ja po fiton dhe po del partia e parë”, tha Abrashi.

Në emër të kolegëve të tij, ai ju ka kërkuar qytetarëve të të bëhen pjesë e programit të LDK-së për qeverisjen lokale, duke i votuar kandidatët për kryetarë të komunave dhe kandidatët tanë për asamble komunale.

“LDK-ja është e vetmja zgjidhje për qytetarët. Lidhja Demokratike e Kosovës, garanton që kryetarët nga radhët e LDK-së, në fokus do të kenë qytetarin. Kanë projekte konkrete, përtej akuzave e kundër-akuzave, përtej kalkulimeve populiste dhe dogmave ideologjike. Qasja jonë e re politike nënkupton që qytetari do të jetë prioriteti ynë i parë dhe i vetëm. Do të zbatojmë një politikë që përkrah të rinjtë tanë përmes fondeve të veçanta. Që përkrahë fermerët, që krijon terrene sportive e hapësira kreative për të rinjtë tanë, që përkrah bizneset, që përkrah qiftet e reja, që siguron arsim e shëndetësi cilësore, që kujdeset për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Abrashi.

Të ngjashme