LDK nesër nuk e voton propozimin e Kurtit për heqjen e taksës

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 22:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK nesër nuk e voton propozimin e Albin Kurtit në mbledhjen e Qeverisë, për heqjen e  taksës.

Kështu ka thënë ai sonte në T7, ku deklaroi se nuk kanë qenë në dijeni rreth propozimit të Kurtit.

“LDK’ja nuk e voton në mbledhjen e qeverisë propozimin e Kurtit për heqjen e taksës”, është shprehur Hoti.

Hoti tha se vendimi i Kurtit lidhur me taksën nuk është qëndrim i dakorduar.

“Unë kam qenë në dakordim për t’i diskutuar kushtet. Nuk është qëndrim i dakorduar nga ne vendimi i Kurtit lidhur me taksën”, ka thënë Hoti.

Tutje, Hoti ka shtuar se vendimet në qeveri duhet të merren së bashku, e jo njënshëm.

“Ne jemi partner në qeveri, vendimet merren së bashku jo njëanshëm, besoj që duhet të ulemi e të bisedojmë për rrugën që kemi përpara. Qeveria nuk duhet të izolojë vetën nga partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Ndryshe, ky vendim i të parit të Qeverisë vjen pas presionit të vazhdueshëm të SHBA’së, të cilët raportohet se i kishin dhënë Kurtit ultimatum deri nesër që të vendosë rreth kësaj çështje.

Të ngjashme