LDK për mos ekzekutimin e pagave: Këto para nuk janë të Qeverisë që të bëjë çfarë të dojë

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë të drejtë ligjore dhe morale që të ndërpresë pagat e mësuesve.

Në një njoftim për media, LDK thotë se “Qeveria thirret në Nenin 18 të Ligjit për Greva, duke injoruar në tërësi Nenin 13 i cili flet për mbrojtjen e të punësuarve gjatë grevës. Ky nen shprehimisht thotë se ‘Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale”.

“Qeveria thirret në Nenin 18 të Ligjit për Greva, duke injoruar në tërësi Nenin 13 i cili flet për mbrojtjen e të punësuarve gjatë grevës. Ky nen shprehimisht thotë se ‘Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale…’. Masat materiale në këtë raport kontraktual kanë të bëjnë pikërisht me pagën dhe kontributet. Dukshëm ka kundërthënie në mes Nenit 13 dhe 18, me ç’rast kjo kundërthënie nuk mund të interpretohet në dëm të palës që nuk e ka hartuar ligjin, e që janë grevistët”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së.

LDK thotë se këto para nuk janë të Qeverisë që të bëjë çfarë të dojë me to, në kohën kur inflacioni ka shkuar në 20%.

“Këto nuk janë para të qeverisë që të bëjë çfarë të dojë, sikurse t’ju hakmerret mësimdhënësve. Në kohën kur inflacioni vetëm ka shkuar në 20% dhe qytetarët veç janë në krizë, qeveria lë pa paga 23,173 mësimdhënës. Është e papranueshme që sapo mbyllet një krizë, hapet një tjetër”, thuhet në njoftim.

LDK ka deklaruar se Qeveria me këto masa po varfëron familjet dhe nëse vazhdon me këtë ritëm do të rrisë numrin e kërkuesve të asistencës sociale.

“Me inflacion ka zvogëlim të pagave në mandatin e kësaj qeverie, kurse me hakmarrjen e fundit ka ndërprerje të të hyrave për mbi 23 mijë familje”, përfundon komunikata e LDK-së.

Të ngjashme