LDK reagon për uzurpimin nga Qeveria të kompetencave të Kuvendit, i quan “puç” masat e sontme

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 23:33 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe deputeti i kësaj partie, Arban Abrashi, kanë reaguar pas masave të reja të marra nga Qeveria në detyrë.

Gashi përmes një postimi në Facebook, këtë e ka quajtur “luftë personale me presidentin, kryeministri rrezikon shtetin e së drejtës”, ndërkohë Abrashi e ka quajtur “puç”.

“Prap, në lufte personale me Presidentin, Kryeministri rrezikon shtetin e së drejtës! Autorizimet dhe përgjegjësitë e Kuvendit, Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Policisë, Gjykatave dhe institucioneve tjera te pavarura, nuk mund të uzurpohen nga Kryeministri dhe të delegohen më pas tek ministri i Shëndetësisë. Kjo çmenduri, me pasoja të rënda në precedentin që po shkakton, duhet të ndalet menjëherë”, ka shkruar Gashi.

E deputeti tjetër i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se Qeveria po merr pushtet me forcë.

“Qeveria me masa e me forcë, merr pushtet që nuk i takon! Puç, tjetër emër a ka?!”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Qeveria në detyrë, sot vendosi që nga e mërkura qytetarët të kenë të drejtë lëvizjeje vetëm një orë e gjysmë në ditë.

Të ngjashme