“LDK do të shkrihej në Vetëvendosje nëse do të bënin koalicion bashkërisht”

Prishtinë | 11 Gus 2017 | 15:38 | Nga

Sot një javë përfundon ultimatumi që kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli i ka dhënë LDK-së dhe VV-së që të bëjnë marrëveshje për formimin e institucioneve te reja të vendit.

Përndryshe, ai ka paralajmëruar se nëse një gjë e tillë nuk bëhet brenda 10 ditësh, atëherë edhe qëndrimi i tij në koalicion me LDK-në dhe Alternativën është i pakuptimtë, shkruan Indeksonline.

Për ofertën e Pacollit, publicisti dhe analisti politik Nexhmedin Spahiu thotë se nëse Vetëvendosje bëhet bashkë me LDK-në, atëherë do të ishte një çmenduri nga ana e VV-së.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se nuk beson që këto dy parti do të bëhen ndonjëherë aleate, qoftë edhe për krijimin e institucioneve.

“Nga ana e Vetëvendosjes nuk mund të ketë kurrfarë pajtimi nëse Albin Kurti s’do të jetë kandidat për kryeministër, sepse do të ishte edhe çmenduri e VV-së, nëse vendos për çfarëdo kompromisi për koalicion me LDK”, ka shtuar Spahiu.

Sipas tij, bashkimi LDK-VV do të thoshte shkrirje e dy partive në një, me një emër të vetëm Vetëvendosje.

“Kjo për LDK nëse do të hynte në bashkëqeverisje me VV faktikisht do të thoshte shkrirje në VV, duke marr parasysh që janë zgjedhjet lokale dhe LDK nuk ka sa interes të hyj në koalicion derisa të kryhen zgjedhjet lokale. Edhe nëse do të vendoste për koalicion, LDK sigurisht që do të qëndronte me afër me PAN-in se sa me VV-në”, ka thënë tutje Spahiu.

Ai ka vlerësuar se Pacolli u tregua i hapur për koalicion me PAN-in dhe tani është çështje pazari dhe kjo koha që i ka lënë për reflektim LDK-së e VV-së, është në fakt edhe kohë për PAN-in të reflektoj për AKR-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme