Lekaj: AAK-ja s’ka vija të kuqe për asnjë parti

Prishtinë | 15 Maj 2017 | 19:51 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën të vetmin opsion për koalicion parazgjedhor e kanë Aleancën Kosova e Re, ndërsa koalicionet me subjektet tjera ata as nuk i kanë menduar. Kështu ka thënë nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, i cili shton se janë në bisedime me AKR-në, por se ende nuk ka asgjë definitive.

“Së bashku me Nismën, jemi në bisedime me AKR-në dhe kaq sa u përket koalicioneve parazgjedhore. Nuk kemi ndonjë risi, por ende nuk është definitive me AKR-në. Nuk kemi menduar dhe nuk kemi kontaktuar me subjektet tjera politike”, ka thënë Lekaj për Indeksonline.

Ndërsa, sa u përket koalicioneve paszgjedhore, Lekaj thotë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti dhe se për këtë qytetarët do t’ju tregojnë se me kë do bëjnë koalicion.

“Pas zgjedhjeve, qytetarët do të na tregojnë se me kë do të bëjmë koalicion, por ne jemi për t’i fituar zgjedhjet. Nuk kemi vija të kuqe, sepse është hipokrizi në një shtet demokratik që të bëhen vija të kuqe. Nuk përjashtohet askush, por ne jemi për t’i fituar zgjedhjet dhe nuk mendojmë fare për koalicionet pas zgjedhjeve, sepse ne së pari do të bëjmë koalicion me qytetarin dhe ata do të na tregojnë se nga do na orientojnë”, ka shtuar Lekaj.

Por, ditë më parë, i pyetur nga gazetarët për një koalicion të mundshëm me partitë në pushtet, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media, ka thënë se AAK-ja ka vija të kuqe për partitë që janë në pushtet.

“Aleanca ka vijë të kuqe për këto parti në pushtet, ne i ofrojmë sovranit koalicionin AAK-Nisma, dhe kushdo që dëshiron të na bashkangjitet, edhe nga shoqëria civile, por në asnjë variant nuk do të bashkëpunojmë me partitë qeverisëse. Dhe i bëjmë thirrje sovranit t’i gjykojë ata me votë”, ka thënë ai.

Partitë politike në vend kanë kohë deri nesër në mesnatë t’i tregojnë KQZ-së për koalicionet parazgjedhore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme