Lekaj kërkon heqjen e taksës për artikujt esencial: Paga Minimale të bëhet 350 euro dhe të përfshihen veteranët

Prishtinë | 30 Qer 2022 | 12:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për një periudhë tremujore, të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencial, siç janë buka, mielli, vaji, sheqeri, produktet e qumështit, të mishit e kështu me radhë, raporton Ekonomia Online.

Gjithashtu, Lekaj në masat e porpozuara nga kjo parti, ka kërkuar që për një periudhë tremujore të përgjysmohen taksat e shitjes së karburanteve: naftës, benzinës dhe gazit, si dhe të draftohet Ligji për Pagën Minimale, ku shuma prej 250 eurove të ngritët në 350 dhe në këtë Ligj të përfshihen edhe veteranët.

“Për një periudhë tremujore, të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencial, siç janë buka, mielli, vaji, sheqeri, produktet e qumështit, të mishit e kështu me radhë. Për një periudhë tremujore të përgjysmohen taksat e shitjes së karburanteve: naftës, benzinës dhe gazit. Ta ridraftojë Ligjin për Pagën Minimale, ku shuma prej 250 eurove të ngritet në 350 dhe në këtë Ligj të përfshihen edhe veteranët. Kuvendi i Kosovës, para se të shkojë në pushimet e verës më 15 gusht të këtij viti, ta miratojë Ligjin e Pagave dhe të fillojë zbatimi i tij i menjëhershëm. Të rikthehet dhe të miratohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit. Të rishikohen kontratat për kryerjen e punimeve të ndryshme, që janë lidhur në vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe të harmonizohen në përputhje me rritjen e çmimeve”, kanë qenë masat e propozuara nga AAK-ja.

“Siç e dijmë një format të këtij debati dhe tryeze parlamentare e kemi zhvilluar si AAK muaj më parë, ku Qëllimi i debatit dhe tryezës ishte shumë i sinqertë dhe ideja ishte që të diskutohet për rritjen e çmimeve dhe jostabilitetin ekonomik që është shkaktuar si pasojë e rritjes së vazhdueshme e të përnjëhershme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë.  Ndonëse përkundër thirrjeve fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë ndryshim. Kur flasim për këtë temë, nuk mundemi pa e përmendur shqetësimin tonë që Agjencia e Statistikave të Kosovës, në çdo raport vazhdimisht ka konfirmuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për vitin 2021 dhe 2022 është rritur tek produktet bazë të konsumit dhe të luksit. Dhe de facto kjo tregon pak a shumë gjendjen ku jemi si shtet e si shoqëri”.

Madje, kjo gjendje ka prekur dukshëm shumë sektorë, dhe në mënyrë zingjirore përmes rritjes së çmimeve të produkteve të importuara janë rritur edhe shërbimet duke ndikuar drejtpërdrejtë në sektorët e prodhimit, ndërtimit, shitjes dhe transportit. Ne si Grup Parlamentar jemi të shqetësuar me këtë krizë dhe dëshirojmë të japim ndihmë në këtë temë, pra qëllimi jonë është të mundohemi që me kapacitetet tona institucionale politike në Kuvend, t’i japim jehonë dhe vlerë kësaj çështje, e cila po rëndon gjendjen ekonomike të vendit si dhe jetën e qytetarëve. Pra, sot ne duam të ndikojmë në politika e vendime qeveritare që çmimet të jenë ashtu siç duhet, pra të pranueshme për secilën familje dhe secilin biznes e kompani që vepron në Kosovë”, tha tutje Lekaj.

Të ngjashme