Lekaj: Kryeministri s’mund të ftojë tryezë për presidentin, veç liderët e partive mund të vendosin

Prishtinë | 12 Dhj 2020 | 07:54 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i AAK-së Palë Lekaj në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh i bindur se koalicioni qeverisë është i qëndrueshëm.

Lekaj, thotë se koalicioni është stabil, por nëse nuk ka marrëveshje për Presidentin vendi shkon në zgjedhje.

 “Derisa i ka shumicën e votave në Kuvend mendoj që koalicioni është i qëndrueshëm. Në atë moment që bëhen 61 vota për rrëzimin e Qeverisë është e drejtë kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje. Mirëpo derisa nuk i kanë votat për shkarkimin e qeverisë mendoj që Qeveria po e bënë punën e vet”.

Sipas tij, çështja e zgjedhjes së presidentit u takon liderëve të partive politike. Lekaj thotë se nuk i takon kreut të Qeverisë, Avdullah Hoti që të merret me këtë çështje, ngase ky i fundit ka paralajmëruar një tryezë për temën e presidentit.

Ai shprehet i bindur se nëse kreu i AAK-së nuk merr timonin e shtetit, vendi mund edhe të shkojë në zgjedhje ta parakohshme.

“Sa i përket çështjes së presidentit varet prej liderëve të partive politike. Nuk është kryeministri që mund të ftojë liderët e partive politike janë kryetarët e partive politike që mund të kenë një tryezë dhe të bisedojnë për çështjen e presidentit. Ne e kemi bërë të qartë se kandidati për president i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës është Ramush Haradinaj dhe në këtë drejtim e kemi bërë të qartë edhe koalicionit edhe partive opozitare që nuk votohet asnjë kandidat tjetër përpos zotëri Haradinaj sa i përket AAK-së, mirëpo ne kërkojmë që të bëjmë një zgjidhje dhe tani lind pyetja a duam të shkojmë në zgjedhje apo duam ta zgjedhin presidentin”.

“Ne meqë e kemi propozuar kandidatin mendoj që kjo Qeveri duhet të vazhdojë me mandatin e saj. Nëse nuk dakordohen atëherë varet prej subjekteve politike që a e dërgojnë vendin në zgjedhje apo jo. Aleanca ka 15 deputetë dhe 105 deputetë të tjerë mund ta zgjedhin presidentin apo të sjellin një vendim që të shkohet në zgjedhje. Ne kemi biseduar me disa subjekte, por ende nuk jemi dakorduar që zotëri Haradinaj të ketë përkrahjen e shumicës, por ne mendojmë që ditët në vijim do të bëhet një zgjidhje që Ramush Haradinaj të përkrahet”.

Sipas Lekajt, nuk është koha për dialog, meqë Kosova po përballet me një krizë të thellë sa i përket pandemisë.

“Unë nuk mendoj që tani është koha për dialog meqë kemi kriza politike dhe jemi në gjendje të pandemisë mendoj që pa një konsensus nga gjithë spektri i gjerë nuk duhet të shkohet në dialog”, tha ai.

Ai tha se Kosova ka kryer të gjitha obligimet sa i përket liberalizimit të vizave, mirëpo ende nuk ka një dakordim me BE-në për këtë çështje, raporton Eo.

“Sa i përket liberalizimit të vizave ne i kemi kryer të gjitha obligimet si shtet i kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk varet prej Kosovës por nga Bashkimi Evropian por ende nuk ka një dakordancë që Kosova të ketë liberalizim të vizave sepse i vetmi vend që është i izoluar në këtë Ballkan është Kosova”.

Të ngjashme