Lekaj: Kurti po vendos pushtet policor, do ta marrë përgjigjen shumë shpejt

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, është shprehur kundër vendimit të kryeministrit Albin Kurti për lëvizjen e qytetarëve.

Ai thotë se me këtë vendim, kryeministri Kurti është duke vendosur pushtet policor në vend.

Lekaj ka shtuar se në këto ditë pandemike i rëndësishëm është vetëm shëndeti i qytetarëve të Kosovës dhe jo lojërat politike.

“Të nderuar qytetarë, tashmë po shihet që kryeministri Kurti po e përdor situatën dhe shëndetin tuaj për të arritur qëllimet e tij anarkiste duke vendosur kështu pushtetin policor. Sot është i rëndësishëm vetëm shëndeti jonë, prandaj ju ftoj që ti anashkaloni këto lojëra politike, rrini në shtëpi duke mbrojtur më të dashurit tuaj dhe vetveten”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

Ai ka kërkuar që të respektohen rregullat për të tejkaluar këtë krizë, duke paralajmëruar që ky pushtet do ta marr përgjigjen e merituar shumë shpejt.

“Respektoni rregullat që ta kalojmë edhe këtë sfidë të bashkuar si kurrë më parë dhe shumë shpejt do vijë koha kur pushteti do merr përgjigjen e merituar”, ka shkruar në fund Lekaj.

Të ngjashme