Lekaj: Qeveria Kurti aftësi të vetme e ka prodhimin e krizave në vend

Prishtinë | 03 Dhj 2022 | 22:37 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti për gjendjen në veri të vendit. Ai ka thënë se veprimet e pamatura dhe te pakoordinuara të qeverisë e kanë sjellë gjendjen në atë pjesë sikurse para shpalljes së pavarësisë.

Në këtë intervistë Lekaj ka theksuar se Qeveria Kurti aftësi të vetme e ka prodhimin e krizave.

Ai ka bërë me dije se kryeministri Kurti më shumë është i fokusuar në prodhimin e krizave në vend sesa për ofrim të zgjidhjeve për problemet.Zyrtari i lartë i AAK-së e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të bashkërendohet me aleatët për çdo veprim.

Sipas tij, qeveria duhet ta fillojë dialogun intensiv me serbët lokalë që ata të kthehen në institucionet e Kosovës.

Me veprimet e fundit, ka thënë Lekaj, qeveria e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në bisedime për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Po bëhet një muaj që serbët i kanë lëshuar institucionet e vendit, ndërsa qeveria nuk po tregon ndonjë strategji për riintegrimin e tyre. Cili është vlerësimi juaj për këtë sjellje të qeverisë?

Lekaj: Veprimet e pamatura dhe te pakoordinuara të qeverisë e kanë sjellë gjendjen në veri të vendit njëjtë sikurse para shpalljes së pavarësisë. Kjo qeveri aftësi të vetme e ka prodhimin e krizave në vend dhe këtë e arriti me sukses me veprimet e saj në veri. Në fund, përpos që nuk arriti asnjë sukses, e ktheu situatën në pikën zero.

Çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës për rikthimin e tyre në institucione?

Lekaj: Qeveria së pari do të duhej që në çdo veprim të tregohet e matur dhe të koordinohet me miqtë tanë, veçanërisht me ShBA-në. E fundit, por jo për nga rëndësia, qeveria ta fillojë dialogun intensiv me serbët lokalë, për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për ta kthyer besimin e ndërsjellë.

Sa i madh është rreziku që kthimi i serbëve në institucione të bëhet pjesë e dialogut Kosovë – Serbi?

Lekaj: Kurti, me veprimet e tij, e ka dëmtuar dukshëm pozicionin në dialog me Serbinë. Kur shkoi fillimisht të bisedonte në Bruksel me Vuçiqin, tha se do bisedonte për marrëveshjen finale, por përfundoi duke biseduar për çështje teknike si ajo e targave. Nuk është çudi që Kurti dhe demagogët, kthimin e normalitetit në veri ta bëjnë pjesë të dialogut.

Tashmë po bëhet një muaj që veriu i vendit pothuajse ndodhet në duart e kriminelëve. Çfarë pasojash mund të sjellë kjo për vendin?

Lekaj: Kjo situatë është serioze. Fatkeqësisht, situata në veri për momentin është kritike dhe e rrezikshme. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur sulme ndaj qytetarëve nga persona të panjohur, por edhe ndaj gazetarëve, siç ishte rasti i para disa ditëve. Edhe tash, kur flasim, ekziston rreziku potencial për përshkallëzimin e dhunës në atë pjesë. Si institucione duhet të jemi të kujdesshme në menaxhim të kësaj situate.

Jo rrallë është thënë se me tensionimin e situatës atje, ekziston rreziku që ajo pjesë të shkojë drejt një autonomie. Sa është rrezik që të ndodhë kjo?

Lekaj: Nuk dua të besoj se Kurti, për të shpëtuar nga krijimi i asociacionit, është në gjendje të bëjë ndonjë konsensus tjetër, vetëm sa për të thënë se ne nuk e lejuam krijimin e asociacionit. Për AAK-në, kjo çështje as që diskutohet dhe as që ia vlen të përmendet.

Në dakordimin për targat, sipas BE-së, qeveria është pajtuar për themelimin e asociacionit. Cila duhet të jetë qasja e qeverisë në bisedime ndaj kësaj teme?

Lekaj: Krijimi i asociacionit është obligim që Kosova duhet patjetër ta përmbushë. Krijimi i tij duhet të ndodhë vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çdo variant tjetër do të kundërshtohet nga AAK-ja.

Udhëheqësia e AAK-së e ka parë propozimin e BE-së për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes dy vendeve. Çka duhet të bëjë qeveria që kjo marrëveshje të jetë në favorin e Kosovës?

Lekaj: Marrëveshja mund të mos quhet “marrëveshje për njohje”, mund të quhet “marrëveshje për normalizim”, por në përmbajtje e ka njohjen. Konsideroj që Kosova duhet të jetë konstruktive në këtë çështje, sidomos të jetë në koordinim të plotë me aleatët tanë, ShBA-në, pasi sigurisht se ky propozim e ka edhe vulën e tyre.

Duke i pasur parasysh sjelljet e kryeministrit, sa besoni se Kurti do të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?

Lekaj: Sjelljet dhe veprimet e tij janë të rrezikshme. Dyshoj në gatishmërinë e kryeministrit për të çuar përpara procese të rëndësishme për vendin. Kurti më shumë është i fokusuar në prodhimin e krizave në vend sesa për ofrim të zgjidhjeve. (Nacionale)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme