Letra e Clinton për Yeltsin: NATO do të bombardojë deri kur Millosheviq ta ndalë spastrimin etnik

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 20:42 | Nga Ekonomia Online

Më 1 prill të 1999-s, një javë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, Bill Clinton i shkruan një letër Presidentit rus, Boris Yeltsin.

Në letër ai e njofton Presidentin rus se bombardimet nuk do të ndalen, deri kur Millosheviç të ndalonte spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe të tërhiqte të gjitha trupat serbe prej andej.

Presidenti i SHBA i thotë atij rus se në këtë vendim kishte dakordësinë e Francës, Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë.

Letra e plotë:

I dashur Boris,

Po të shkruaj sërish për Kosovën, që është shndërruar në problemin më të dhimbshëm me të cilin jam përballur ndonjëherë gjatë Presidencës time, jo vetëm sepse ka vënë kaq pengesa në marrëdhëniet ruso-amerikane. Ashtu si ti, edhe unë dua që dhuna të ndalojë sa më parë që të jetë e mundur; si ty jam gati që të ndjek çdo shteg që mund të na drejtojë te paqja. Por, ngjarjet e javës së fundit e kanë bërë të qartë se sa serioz është kërcënimi për paqen.

Lajmet që mbërrijnë nga Kosova janë me të vërtetë tronditëse. Ka prova të pakundërshtueshme se fshatra të tërë po digjen, civilë të pafajshëm po vriten dhe mijëra po zhvendosen, jo nga aksionet e NATO-s, por nga aksionet e mirëplanifikuara të forcave jugosllave të sigurisë. Në mes është çështje humanizmi, që për nga rëndësia tejkalon të gjitha të tjerat.

Për këtë, pritëm me interes propozimin tënd për një mbledhje urgjente të G8 (sot G7 pas përjashtimit të Rusisë) për Kosovën. Madeleine (Albright sekretare e Shtetit në atë kohë) e ka njohur Igor (Ivanov, ministër i Jashtëm i Rusisë në atë kohë) me disa propozimet dhe ide. Ata do të vazhdojnë të bisedojnë se si mund të bashkojmë forcat dhe përpjekjet tona për të rikthyer kushtet e një zgjidhjeje politike.

Ajo që ka rëndësi është që ne të qëndrojmë të bashkuar në mesazhet tona për Beogradin. Millosheviq duhet ta ketë të qartë se nëse dëshiron ta mbyllë këtë konflikt, ai mund ta bëjë në çdo moment duke urdhëruar ushtrinë që të ndalojë fushatën e spastrimit të shqiptarëve të Kosovës, tërheqjen e të gjitha forcave serbe të sigurisë, policinë e ushtrinë nga Kosova në përputhje me marrëveshjen e tetorit të kaluar dhe rikthimi te negociatat serioze.

A është e mjaftueshme kjo?

A i plotëson zotimet ndërkombëtare?

Millosheviq duhet ta dijë gjithashtu se deri kur të plotësojë këto kushte, fushata e NATO-s do të vazhdojë. E kam diskutuar gjatë këtë problem me Jacques (Shirac, Presidenti francez), Gerhard (Schroeder – Kancelari gjerman) dhe Tony (Blair, kryeministri britanik) dhe kemi dakordësi të plotë në këtë drejtim.

E di që zhvillimet në Kosovë kanë dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Por më vjen mirë që ne kemi qenë në gjendje që të vazhdojmë punën në çështje me rëndësi në agjendën dypalëshe. U detyrohemi njerëzve tanë dhe paqes në botë për ta mbajtur partneritetin SHBA-Rusi të gjallë dhe produktiv, edhe në këto kohë të vështira. Marrëveshja e arritur më 31 mars është një arritje historike. Jam i kënaqur që puna konkrete e komisionit dykombësh ka vazhduar, megjithëse jo formalisht./Gazeta-Shqip/

Të ngjashme