Letra e Thaçit për Kurtin, Baraliu: Legjitime, por Presidenca të lejoj bisedimet pa presion

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Pas skadimit të afatit prej 48 orëve që presidenti Hashim Thaçi i kishte dhënë liderit të LVV-së, Albin Kurti për t’ia dërguar emrin e kandidatit për kryeministër, presidenti Thaçi i është drejtuar sërish Kurtit përmes një letre.

Në letrën e tij, Thaçi ka theksuar se është në pritje të përgjigjes së Kurtit, siç kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij.

Presidenti në këtë letër ka kërkuar nga Kurti që ta njoftojë se a do ta propozojë kandidatin për kryeministër apo do të refuzojë ta marrë mandatin, në mënyrë që t’i ndërmarr të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin/en për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë formë të komunikimit nga ana e presidentit Thaçi, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka thënë për Telegrafin se ky është një komunikim që synon të realizojë vullnetin e qytetarëve dhe se këtë të drejtë e ka presidenti.

“Është një komunikim që më tepër synon që të realizohet vullneti i qytetarëve dhe këtë të drejtë e ka presidenti edhe obligim madje në bazë të Nenit 84 të Kushtetutës që të kujdeset për funksionimin institucional brenda afateve kushtetues në këtë rast edhe formimin e Qeverisë. Pra, është diçka legjitime që i dedikohet vullnetit të mirë po supozoj të tij për të pasur institucione”, ka thënë Baraliu.

Baraliu ka shtuar se pavarësisht kësaj, në situatën në të cilën ndodhemi do të duhej të kishte mirëkuptim nga Presidenca që pa presione të lejohet hapësirë që të përfundohen bisedimet dhe të kemi një koalicion dhe qeverisje të re.

“Kushtetua nuk ka caktuar afate se deri kur mundet mandatari ta dërgoj propozimin te Presidenti dhe do të duhej që në këtë fazë delikate të bisedave të ketë mirëkuptim edhe nga Presidenca që thjeshtë pa presione të lejohet hapësirë që në ndonjë orë ose ditë të bëhen biseda dhe të përfundohen me sukses në mënyrë që të kemi një koalicion dhe qeverisje të re”, u shpreh Baraliu.

Më tej, njohësi i çështjeve kushtetuese, theksoi se në rast se në këtë situatë ka prapaskena politike nga kushdo qoftë, ato nuk i kontribuojnë vendit.

Të ngjashme