Letra që Thaçi ia dërgoi Pompeos për ta penguar punën e Speciales

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka ndalur veprimet e tij për ta penguar punën e Gjykatës Speciale. Kjo dëshmohet nëpërmjet një shkëmbimi të letrave që ka pasur me Sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo.

KOHA ka siguruar edhe letrën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia kishte dërguar sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, më 29 nëntor 2019, lidhur me tentativën për ta penguar punën e Gjykatës Speciale

Thaçi, në këtë letër, i thotë se i shpreh shqetësimin e thellë të institucioneve të Kosovës, në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special të Kosovës si pjesë e Institucionit Gjykues Special të vendosur në Holandë.

“Institucionet e Kosovës i janë tepër mirënjohës Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në veçanti Zyrës për Drejtësi Globale Kriminale të departamentit të Shtetit, për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për etablimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sido që të jetë, ju shkruaj që zyrtarisht t’ua sjell në vëmendje shqetësimin tonë që edhe pasi kanë kaluar 5 vjet, që është edhe periudha tranzitore e paracaktuar në fillim, ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara. Po ashtu, më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit, nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me Marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”, i shkruan ndër tjera Thaçi Pompeos.

Tutje i thotë Thaçi, se Dhomat e Specializuara, janë institucione të brendshme që veprojnë brenda hierarkisë ligjore të Kosovës.

“Me keqardhje më duhet ta shpreh shqetësimin tim që mënyra në të cilën këto institucione gjegjëse vazhdojnë të operojnë është në kundërshtim direkt me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishim marrë vesh”, shkruan Thaçi.

Sidoqoftë, thotë ai, “Kurrë nuk ka qenë qëllim i institucioneve të Kosovës që të gjitha procedimet të barten në shtetin e tretë të caktuar dhe të zhvendosen plotësisht nga sistemi ekzistues i drejtësisë kriminale”.

Me keqardhje të madhe jua sjelli në vëmendjen tuaj këtë shqetësim, por është shqetësim serioz, pas jam i obliguar të reagoj si president i Kosovës, të cilit i janë besuar siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, po ashtu nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, kultivimi i parimeve të demokracisë, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe ruajtja e sovranitetit të shtetit. Në të kundërtën, identiteti ynë shtetëror, përpjekjet tona për pavarësi dhe sakrificat që i kemi bërë në emër të kombit do të dëmtohen”, i shkruan Thaçi ndër tjera.

Të ngjashme