Lëvizja Vetëvendosje regjistrohet si Qendër në Gjykatën e Tiranës

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë ka marrë vendimin për ta miratuar regjistrimin e Qendrës “Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri”, me statusin e organizatës jo fitimprurëse (OJF).

Sipas VV-së, ky akt është vazhdimësi e aktivitetit disa vjeçar në Republikën e Shqipërisë, por tashmë në një formë të re.

“Në qëllim dhe motiv, në parim dhe veprim, përmes këtij themelimi ne do të angazhohemi për aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar, ashtu siç shprehet edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bashkë me përpjekjen për një shtet zhvillimor që lufton pabarazitë e mëdha ekonomike qe janë krijuar. Frymëzimi ynë rrjedh edhe nga përfytyrimi i të ardhmes për vendin tonë, si vend që ia mundëson grupeve e shtresave të ndryshme shoqërore dhe individëve shpërthimin e potencialeve të tyre, duke zhvilluar e mbrojtur ekonominë e përbashkët dhe atë individuale me drejtësi, demokraci, transparencë dhe përgjegjësi në vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Përmes kësaj forme të organizimit synojmë të bashkëpunojmë me sa më shumë aktorë të shoqërisë civile, akademikë, qytetarë aktivë dhe ekspertë të fushave të ndryshme anembanë Republikës, të gjithë trojeve si dhe në mërgatë. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri do të organizojë inaugurimin në Tiranë për të shënuar fillimin e këtij organizmi të ri, në mes të muajit maj. Njoftimi e ftesa për inaugurimin do të bëhet publike në ditët në vijim”, përfundon njoftimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme