BE: Liberalizimi, menjëherë pas ratifikimit të Demarkacionit

Prishtinë | 19 Pri 2017 | 09:48 | Nga Kaltrina Zymberi

Bashkimi Evropian edhe njëherë iu bën me dije institucioneve të Kosovës se Demarkacioni me Malin e Zi mbetet kushti i vetëm për liberalizimin e vizave. Në momentin që ky kusht plotësohet Komisioni Evropian do ta japë dritën e gjelbër për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kështu ka thënë për Ekonomia Online Maja Kocijançic zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Komisionit Evropian, Frederica Mogherini, duke shtuar se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se dinë punën të cilën po bënë Kosova në drejtim të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

“Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Komisioni gjithashtu njeh përpjekjet e Kosovës që ka bërë të ratifikojnë marrëveshjen demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, thuhet në përgjigjen e Kocijançiq.

Për zyrtarët institucionalë, Demarkacioni si kusht i vetëm për liberalizimin e vizave vazhdon të jetë i pakuptimtë.

Madje si kusht të pakuptimtë e ka cilësuar edhe vetë kryeministri Isa Mustafa.

Ai ditë më parë ka komentuar duke thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është shumë i rëndësishëm por që BE e ka vënë një kusht të pakuptimtë për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Mirëpo, BE-ja porosit që ky proces të përfundojë sa më shpejtë në mënyrë që Komisioni Evropian të mund të jap dritën e gjelbër për lëvizjen e lirë.

“Siç është përcaktuar edhe në propozimin legjislativ të majit 2016 të Komisionit, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një kërkesë për liberalizimin e vizave. Është shumë e rëndësishme që ky proces të finalizohet në mënyrë që Komisioni mund të japë dritën e saj të gjelbër”, thuhet në përgjigjën e Kocijançic.

Se Kosova ka bërë progres këtë e ka thënë edhe Jean Cluade Juncker në takimin që kishte me Presidentin Thaçi.

“Në një takim me presidentin Thaçi më 9 shkurt, presidenti Juncker përgëzoi progresin mbresëlënës që ka bërë Kosova, në përpjekjet për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar”, thotë Kocijançiq për Ekonomia Online

Të ngjashme