“Lidhja për të ardhmen” – Kush ishte në “krye të vendit” në Konventën e LDK-së e kush nga figurat e mëdha mungoi

Prishtinë | 30 Pri 2022 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës të premten në një nga hotelet e Prishtinës organizoi një Konventë programore siç e quajtën mobilizuese partiake dhe pikënisje të debatit të tyre të brendshëm strukturor dhe atij me qytetarë.

Kjo Konventë kishte gjashtë panele, ku zyrtarët të LDK-së diskutuan për të ardhmen e partisë, dhe siç tha kreu i saj, Lumir Abdixhiku për të ardhmen e së djathtës në Kosovë, politikën e jashtme, mërgatën e bashkëpunimin rajonal; për shtetin, sigurinë, zhvillimin, arsimin, shëndetësinë, për mirëqenien, familjen, avancimin shoqëror dhe qeverisjen lokale në Kosovë.

Pjesë e kësaj Konvente ishin strukturat udhëheqëse të LDK-së, anëtarët e Kuvendit, Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, deputetët, kryetarët e Komunave, kryetarët e Degëve e asambleistët local, por munguan jo pak figura të rëndësishme të LDK-së që kanë dhënë kontribut të madh ndër vite, dhe disa prej tyre edhe sot aktiv në politikbërje.

Përmes këtij shkrimit do të tregojmë se cilat nga figurat e LDK-së ishin në “ballë të oxhakut”, e cilët zyrtarë që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për partinë nuk ishin fare e Konventës, disa prej tyre duke treguar hapur pakënaqësinë ndaj udhëheqjes së partisë nga Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

Luta, Gazi, Shqipe Mjekiqi… “në krye të vendit”

Afër ‘kryefamiljarit’, Lumir Abdixhiku, ishin njerëzit më të afërt të tij që nga koha kur u zgjodh kryetar i partisë.

Lutfi Haziri e Kujtim Shala ‘dy krahët’ e Lumirit, pastaj në rend të parë afër tij ishin renditur, Shqipe Mjekiqi nënkryetare e partisë, Gazmend Muhaxheri, Anton Quni e Imri Ahmeti si dhe Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar.

Por, kush mungoi?

Në këtë Konventë megjithatë munguan disa nga figurat kyçe për disa vite në LDK, sidomos në ato të fundit.

“Armiku” më i madh i kryetarit Abdixhikut, deputeti i kësaj partie dhe për disa vite me radhë nënkryetar Agim Veliu nuk ishte prezent në Konventën e djeshme. Ai kështu sërish doli hapur kundër Abdixhikut dhe mënyrës si e drejton ai partinë.

Poashtu mungoi edhe një prej zyrtarëve të lartë të kësaj partie, Skender Hyseni, i cili ka mbajtur pozita të larta në këtë subjekt për vite me radhë por edhe në Qeveri kur LDK ishte në koalicion me PDK-në.

Në Konventë nuk ishte as, Arban Abrashi, i cili nga zgjedhja e Abdixhikut në krye të partisë nuk është fare aktiv. Se raportet mes tyre nuk janë të mira e ka treguar edhe Koventa kur Abdixhiku u zgjodh kryetar, e që ky i fundit nuk ia kishte shtrirë dorën Abrashit.

Poashtu në Konventën e së premtes munguan edhe dy ish-kryetarët e LDK-së, Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa, për të cilët shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se kanë pasur ftesa.

Zyrtarët që mbajtën fjalime në Konventën e LDK-së:

Në panelin e parë, “E ardhmja e djathtës së Kosovës”, folën Akademik Kujtim Shala, Mr. Arben Gashi, Dr. Muhamet Hamiti dhe Dr. Visar Berisha. Diskutimi u moderua nga Dr. Jehona Lushaku Sadriu.

Në panelin e dytë, “Politika e Jashtme, Mërgata dhe Bashkëpunimi Rajonal”, folën Lutfi Haziri, Dr. Shqipe Mjekiqi, Mr. Teuta Sahatqija dhe Dr. Valon Murtezaj. Ky panel u moderua nga Lirije Kajtazi.

Në panelin e tretë, “Zhvillimi, Arsimi dhe Shëndetësia”, me panelistët Dr. Alban Zogaj, Mr. Besian Mustafa, Dr. Jehona Lushaku dhe Dr. Izet Sadiku. Diskutimi u moderua nga Besa Gaxherri.

Paneli i katërt diskutoi për “Shtetin dhe Sigurinë”, me folës Gazmend Muhaxheri, Anton Quni, Driton Selmanaj dhe Armend Zemaj. Diskutimi u moderua nga Shkëmb Manaj.

Në panelin e pestë “Mirëqenia dhe Avancimi shoqëror”, folën Mr. Sibel Halimi, Mr. Roland Peraj, Dr. Shqipe Brestovci dhe Dr. Rifat Haxhijaj. Diskutimi u moderua nga Vlora Dumoshi.

Në panelin e gjashtë “Qeverisja Lokale” folën Imri Ahmeti, Xhafer Gashi, Ilir Ferati dhe Ruzhdi Shehu. Diskutimi u moderua nga Dr. Xhafer Tahiri.

Të ngjashme