Ligji për Referendum i domosdoshëm, kërkohet të bëhen disa ndryshime në Projektligj

Prishtinë | 22 Maj 2019 | 12:20 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për Referendum, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesja e Komisionit, Albulena Haxhiu, tha se Projektligji për Referendum ka shumë nevojë për ndryshime në mënyrë që ligji të jetë i zbatueshëm.

“Kosova nuk ka pas Ligj për referendum dhe për këtë shumë çështje që është dashur të pyeten qytetarët me anë të Referendumit, ne nuk kemi pasur të drejtën ta bëjmë prandaj Ligji për Referendum është i rëndësishëm, por në anën tjetër Projektligji ka hapësira të shumta për ndërhyrje. Projektligji për referendum ka 22 nene, Kuvendi e ka miratuar në parim dhe tani është koha e Komisionit dhe ne e kemi krijuar një grup punues por e kemi pa të udhës të kemi paraprakisht një dëgjim publik”, tha ajo.

Haxhiu tha se për të mos pasur keqpërdorime atëherë është mirë që Kuvendi të jetë institucioni për t’i dhënë komunave të drejtë në Referendum.

“Mund ta bëjmë një lidhje të Komunave me Kuvend, që Kuvendi me qenë institucioni me dhënë të drejtën e një referendumi dhe kjo është në mënyrë që të mos kemi keqpërdorime”, tha Haxhiu.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike tha se edhe organizatat e shoqërisë civile duhet të kenë qasje dhe të ndihmojnë hartimin e këtij Projektligji.

“Propozoj që edhe Organizatat e Shoqërisë Civile të përfshihen në projektligj duke e parë rolin dhe rëndësinë e këtij projektligji. Konsideroj se duhet të shtohet që në projektligj nuk guxon të parasheh dhe ndalon çfarëdo lloj Referendumi për çështjen e territorit dhe që munden me cenu rendin kushtetues të Kosovës”, shtoi Kryeziu.

Kryeziu tha se Referendumi nuk duhet të përmbajë mesazhe politike dhe pyetje ç’orientuese që kanë qëllim votimin mbi rezultatin e pyetjes e jo votimin mbi vendimin për të cilët kërkohet.

“Në Projektligj duhet rregullohet forma e përpilimit të pyetjes që qytetarët të votojnë për vendimin dhe jo rezultatin potencial”, tha ai.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, tha se ata që e kanë përpiluar këtë Projektligj nuk i takojnë asnjë partie politike dhe duan të mbeten anonim.

Enis Halimi nga KQZ-ja tha se duhet të detalizohet Projektligji në mënyrë që të mos ketë probleme që të vij deri tek dërgimi i ndonjë shkelje në Gjykatën Kushtetuese.

“Kësaj fushe i duhet një ligj j detajuar që të mos mundësoj paqartësi në proces të zbatimit të tij”, tha Halimi.

Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, tha se Referendumet janë për çështje të ndryshme dhe jo secili prej tyre e ka të njëjtën rëndësi, prandaj afatet janë shumë të shkurtra dhe mbledhja e nënshkrimeve nuk mund të jetë e njëjtë për të gjitha.

“Kam një varg vërejtjesh, Referendumin shumica e vendeve e kanë si një veprim normal duke filluar nga Zvicra, por në këtë Projektligj janë afatet e shkurtua me çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen, janë afate të shkurtuara, nuk kanë gjitha Referendumet rëndësinë e njëjtë dhe numrin e njëjtë të nënshkrimeve”, tha Kurteshi.

Deputeti nga NISMA, Bilall Sherifi, tha se e mbështet në parim Projektligjin për Referendum dhe do të jep kontributin në emër të NISMA-s.

Ai tha se kërkon që të gjitha institucionet të përfshihen në këtë proces në mënyrë që të jetë sa më përmbajtjesor.

Besim Kajtazi nga Zyra e Presidentit tha se ky Projektligj është shumë i rëndësishëm për vendin, por ende ka shumë punë për të bërë.

“Jemi të gatshëm me dhënë gjithë kontributin në rihartimin komplet të Projektligjit, drafti ka shumë nevojë me u punu në të, parimet janë të vendosura”, tha Kajtazi.

Mentor Borovci nga Zyra e Kryeministrit tha se në Projektligji ka ende punë pasi që edhe nenet bien ndesh me nenet e më vonshme, ndërsa tha se Zyra e Kryeministrit do ta mbështes këtë Projektligj deri në fund.

Sevdail Kastrati nga Gjykata Kushtetuese tha se ata që punojnë me Projektligj duhet të kenë kujdes në përmbajtje.

“Ne e mbështesim këtë Projektligj sepse Kushtetuta në 5 raste e përmend Referendumin kështu që ne kemi kompetencë me e vlerësu”, shtoi Kastrati.

Të ngjashme