Ligji që pritet të përgjysmojë Qeverinë e Kosovës

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës është një prej qeverive më të mëdha në Evropë pasi përbëhet nga gjithsejë 21 ministra, 5 zëvendëskryeministra si dhe rreth 80 zëvendësministra.

Por numri i ministrave dhe zëvendësve të tyre pritet të ulet, në rast se Qeveria e tanishme arrin të përfundojë Ligjin për Qeverinë i cili është në fazën e parë të hartimit.

Organizatat e shoqërisë civile që janë të përfshira në procesin e hartimit të këtij ligji kanë rekomanduar që Qeveria të këtë më së shumti 14 ministri.

Po ashtu, ligji parasheh që të rregullojë edhe përfaqësimin e grave në Qeveri, ku 30 për qind e ministrive do të udhëhiqen nga gratë.

​Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se Ligji për Qeverinë duhet të specifikojë numrin e ministrave, zëvendëskryeministrave dhe këshilltarëve politikë në Qeveri.

“Kryeministrin e kemi paraparë që t’i ketë vetëm dy zëvendëskryeministra, ndërkaq ministrat të kenë vetëm nga një zëvendësministër, në raste të caktuara siç është rasti i Ministrisë së Punëve të Jashtme mund të ketë edhe dy zëvendësministra për shkak të kontekstit dhe nevojës për të qenë sa më prezentë në arenën ndërkombëtare”, tha Rexha.

Përveç numrit të madh të zëvendësministrave, Qeveria aktuale ka poashtu numër të lartë të këshilltarëve politikë. Vetëm kryeministri, Ramush Haradinaj, ka 15 këshilltarë politikë që paguhen nga paratë e taksapaguesve kosovarë.

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike thonë se është propozuar që me këtë ligj të saktësohet edhe numri i këshilltarëve në Qeveri, pra, sipas propozimeve , kryeministri do t’i ketë maksimum 10 këshilltarë të brendshëm të cilët paguhen nga buxheti i shtetit.

Mungesa e Ligjit për Qeverinë, sipas Jeton Mehmetit nga Instituti GAP, ka dërguar në një situatë kur për qeverinë e tanishme, është e vështirë llogaridhënia.

“Ligji për Qeverinë do të duhej të reduktonte numrin e ministrive dhe ne kemi bërë edhe studime të mëhershme ku kemi analizuar se cilat nga ministrisë do të mund të bashkoheshin në një meqë nga qëllimi dhe funksioni kanë të njëjtën gjë. Qëllimi i dytë që dotë duhej të kishte Ligji për Qeverinë është që të kufizonte edhe numrin e dikasterit qeveritar që nënkupton që edhe kryeministri të mos kishte më shumë se një zëvendës përderisa ministrat të mos kishin më shumë se një, eventualisht dy zëvendës, sepse kësisoj jo vetëm që do të reduktoheshin shpenzimet buxhetore por edhe llogaridhënia do të ishte më e lehtë. E treta do të ishte që ligji të rregullojë kompetencat e Qeverisë në largim”, tha Mehmeti.

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e Projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri, që njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, kohë më parë tha për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Qeverinë, rregullon funksionimin dhe përgjegjësitë eministrive si dhe trajton aspektin që lidhet me numrin e resorëve.

“Ky ligj nuk do të ketë kuptim nëse nuk sanksionohet, nuk vendoset një tavan për numrin e ministrive, që nënkupton që ky ligj, detyrimisht do të bëjë zvogëlimin e ministrive, sikurse që do të bëjë zvogëlimin e zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave”, tha Tahiri.

Para se ky ligj të hyjë në fuqi, ai do të kalojë nëpër një fazë të gjatë derisa të jetë në votim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në rast se pranohet propozimi i shoqërisë civile, atëherë ministrat do të të humbin pozitat e tyre nëse nuk janë llogaridhënës para deputetëve të Kuvendit, thotë Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Ne kemi sugjeruar që nëse një ministër nuk merr pjesë në komisione për raportim apo seanca parlamentare më shumë se gjashtë herë, atëherë duhet të largohet nga detyra e tij apo e saj zyrtare”, deklaroi Rexha.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj është kritikuar vazhdimisht për vendimin për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë si dhe për numrin e madh të zëvendësministrave dhe koston që ata kanë për buxhetin e Kosovës, mirëpo, përkundër kësaj qeveria vazhdon të ketë rreth 80 zëvendësministra/REL.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme