Limaj: Autostradën “Arbën Xhaferi” e ideova unë

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Sot në orën 12:00, do të bëhet përurimi i Autostradës “Arbën Xhaferi”, që do të lidh Kosovën me Maqednoninë. E gara brenda partive në pushtet, për të marrë meritat për ndërtimin e saj është shumë e ashpër.

Derisa dje zëvendëskryeministri nga radhët e PDK’së, Enver Hoxhaj, thoshte se kjo autostradë është ideuar nga PDK’ja, kreu i NISMA’s, Fatmir Limaj, thotë se ndjehet mirë që tashmë po realizohet një projekt madhor që e kishte ideuar sa kishte qenë ministër i Transportit dhe Telekomit pa e përmendur fare partinë që atë kohë i takonte.

“Të nderuar qytetarë, pak orë na ndajnë nga përurimi i autostradës “Arben Xhaferi”, autostradë kjo që do ta lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do ta lidhë Kosovën me vendet fqinje. Ndjehem mirë që sot po finalizohet një projekt madhor dhe strategjik i ideuar dhe projektuar në vitin 2007 në kohën kur e drejtoja Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomit. Pas “Rrugës së Kombit”, autostrada “Arben Xhaferi”, është projekti më strategjik i cili e ofron Kosovën me rajonin.Urime qytetarëve të Kosovës për këtë projekt madhor.(Foto e vitit 2010, koha kur drejtoja Ministrinë e Transportit kur ishte ideuar dhe projektuar ndërtimi i kësaj)”, ka shkruar Limaj në profilin e tij.

Ndërsa dje Hoxhaj ishte kujdesur që meritat t’ia atribuonte partisë së tij, që tashmë udhëhiqet nga Kadri Veseli.

“Nesër do ta inaugurojmë autostradën “Arbën Xhaferi”, një ide dhe vision i PDK-së i projektuar më 2007, që po kompletohet tani. Kjo autostradë ka rëndësi strategjike sepse na afron me një vend fqinj që e kemi aleat dhe mbështetës, i afron popujt tanë dhe krijon mundësi zhvillimi dhe komunikimi edhe më intensiv” , kishte shkruar Hoxhaj.

Përurimi do të bëhët sot nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa të ftuar do të jenë edhe krerë të shteteve fqinje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme