Limaj: Ekipi për dialog do të jetë transparent dhe në dispozicion të Kuvendit

Prishtinë | 15 Dhj 2018 | 19:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili është zgjedhur bashkë-drejtues i delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, është zotuar se do të jetë transparent me Kuvendin dhe popullin në këtë detyrë.

“Në përputhje me rezolutën dhe projektligjin e propozuar dhe të arritjes së një konsensusi të forcave politike, ne do t’i kthehemi këtij parlamenti të Kosovës me një platformë… Ju siguroj si bashkë-drejtues i këtij delegacioni shtetëror se do ta kemi transparencën, do të jemi në dispozicion të parlamentit, do të jemi në dispozicion të opinionit politik”, tha Limaj.

Në një deklarim për medie pas votimit nga Kuvendi, Limaj tha se delegacioni do të fillojë punën nga e hëna.

“Do të ulemi si delegacion shtetëror, do të bëjmë agjendën tonë të punës, do t’i formojmë komisionet dhe temat që besojmë se Kosova duhet t’i trajtojë në takimet e ardhshme dhe do të ia prezantojmë qeverisë, parlamentit… Tema që do të trajtohen gjithsesi janë të pagjeturit, dëmshpërblimi nga lufta, tema për suksesionin e Jugosllavisë, e të tjera”, tha Limaj.

Sipas Limajt, do të përfshihen në ekip dhe konsultohen edhe akademikë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Ai shtoi se Kosova është e interesuar që në rajon të mbretërojë paqja. “Ne futemi në këtë dialog me vetëbesim, me qartësi dhe me objektiv të qartë. Objektivi ynë është njohja e Republikës së Kosovës, anëtarësimi i saj në OKB dhe integrimi i shtetit të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë”.

Limaj tha se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje reciproke, që do të ishte marrëveshje historike.

Të ngjashme