Limaj: Ministrat dhe deputetët e Nismës do t’i rrinë mbi krye Haradinajt

Drenas | 04 Qer 2017 | 18:51 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, që e kishte partner kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, edhe para formimit të Koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka pasur një porosi për të, të dielën, në një tubim në Drenas.

Limaj ka thënë se Haradinaj e ka një mundësi jetike se nga do ta drejtojë vendin. “Dhe këtë rast nuk bën ta lëshojë nga dora”.

Por, ai nuk i ka garantuar përkrahje pa kushte Haradinajt. “Ministrat e Nismës, dhe deputetët tanë, do t’i rrinë mbi krye Ramushi se nuk guxon me i ik asaj që jemi marrë vesh. Nëse i ik nuk do ta ketë mbështetjen e Nismës”, ka thënë partneri më i vogël i koalicionit, raporton Ekonomia Online

Limaj: Nuk do të ketë më familje pa një të punësuar

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se kur e kishin ngritur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, të tjerët iu thoshin se si po duan ta rrëzojnë Qeverinë me 6 deputetë. “Por, ne e kemi parë ndryshimin edhe në Drenas në kohën e balotazhit, kur të tjerët nuk e kanë parë”.

Ai ka thënë se njerëzit nuk i bashkon vetëm besimi, por vizioni për besim. “Sot jemi para zgjedhjeve dhe do të jetë shumë i rëndësishëm zhvillimi ynë për zgjedhjet komunale të nëntorit. Në këtë garë nuk është individi, në këtë garë është projekti i Nismës, është emri i Nismës”.

Ai ka ftuar qytetarët e Drenasit, t’i votojnë kandidatët “që po i shihni mbrapa”.

“Djemve dhe vajzave të Drenasit që iu është bërë diskriminim do t’i jepet fund… Në Drenas në vitet e ardhshme nuk do të ketë më familje që nuk ka një të punësuar”, ka premtuar Limaj.

Krasniqi: Partitë e tjera kanë fjalë, ne do të jemi promotor të zhvillimit

E fushatës së Nismës sot i është bashkuar dhe Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit të kësaj partie, i cili konsiderohet se ka ende mbështetje të madhe, sidomos në vendlindjen e tij – Drenas.

Krasniqi tha se gjithmonë ka dëshiruar t’i shohë zgjedhjet si festë kombëtare, “festë ku qytetarët e Kosovës vendosin se çfarë rrugë do të merr Kosova në të ardhmen”.

“Kemi dëgjuar edhe nga partitë e djathta që ofertat e tyre i kanë fjalë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të gatshëm të kontribuojmë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, të cilin nuk e kemi. Janë qytetarët e të gjithë Kosovës që e kanë një mundësi të madhe për t’i dhënë një kahje të së drejtës. Aty ku nuk ka shtet të së drejtës nuk ka shëndetësi, nuk ka zhvillim. E dimë dhe e kemi ditur se rruga jonë do të jetë me sakrifica por jemi të bindur se të gjithë qytetarët e vendit nëse nuk u lejohet të votojnë si dëshirojnë nuk do të ketë shtet të së drejtës”.

Sipas tij, Nisma për Kosovën do të jetë promotor i zhvillimit për katër vitet e ardhshme.

“Nëse dikush ka të drejtë të thirret në emër të luftës është Nisma”

Kandidati Isa Xhemajlaj ka thënë se kandidatët e Nismës janë njerëz të dëshmuar në kohë dhe kanë bërë sakrifica të mëdha për të ardhur këtu. “Nëse dikush ka të drejtë të thirret në emër të luftës është Nisma, sepse e ka strategun Jakup Krasniqin e të tjerët… Dhe e ka të drejtën për t’u thirr në atë vlerë”.

“Ne sot po e kërkojmë votën nga ju sepse janë këta deputetë që nuk e lejuan kalimin e demarkacionit dhe asociacionit”, ka thënë më tutje Xhemajlaj.

Xhemajlaj, në zgjedhjet e parakohshme komunale që u mbajtën më herët këtë vit, arriti të shkojë në balotazh me kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovci, megjithëse Drenasi konsiderohet si bastion i PDK-së.

Zeka: Isa Mustafa është sinonim i së keqes

Ish-gazetari Milaim Zeka, i cili së fundi iu bashkua Nismës, tha se në listat e tyre nuk ka “hajvanë”.

“Nuk kemi zgjedhur në listat tona hajvanat me na përfaqësu në Kuvendin e Kosovës”.

Më tutje, ai ka treguar arsyen kryesore pse i ka hyrë politikës. “Ma qejf kam me fitu lista 12 (PDK-AAK-Nisma) sesa Milaim Zeka. Kam hyrë në luftë politike me rrëzu Isa Mustafën. Është sinonimi më i keq i krejt kohës”, tha Zeka

“Isa Mustafa duhet të përgjigjet për Fondin e Drenicës, duhet të japë llogari për paratë e Fondit të 3-përqindëshit”.

Ai ka kritikuar dhe disa udhëheqës të PDK-së që e akuzonin Bujar Dugolli se e ka shitur “Feronikelin”, e pastaj erdhën në prerje të shiritit.

“Ata e kanë bërë sot Kosovën e Drenicën parcelë të 15 individëve”, ka thënë Zeka, pa saktësuar se për kë e ka fjalën.

Të ngjashme