Limaj: Mitrovicën nga një pikë e zezë do ta kthejmë në bashkim

Mitrovicë | 27 Sht 2017 | 18:07 | Nga Valbona Bytyqi

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se mitrovicasit janë lodhur nga mashtrimet dhe premtimet e rrejshme tash e 18 vjet.

Duke folur në hapje të fushatës zgjedhore në “Qytetin e Minatorit”, Limaj tha se është koha të bëhet një nisje edhe këtu.

“Mitrovica nga një vend i ndarë duhet të kthehet në një pikëtakim të njerëzve të mirë, duhet te jetë një pikëtakim i piktorit, sportistit, intelektualit dhe pse jo edhe i pensionistit”.

Me Qazim Shalën kryetar, Limaj tha se Mitrovica nga një vend i ndarë e një pikë e zezë do të kthehet në bashkim të qytetarëve.

Ai tha se Mitrovica ka shumë probleme, disa janë politike, por disa mund të zgjidhen. “Fatkeqësisht drejtuesit që kanë qenë deri më tani nuk e kanë parë që ku ka probleme dhe ku ka shumë mundësi. Andaj jo rastësisht, ne ia ofrojmë Mitrovicës një kandidat me përvojë shumë të madhe, i cili ka bërë shumë në zgjidhjen e problemeve të këtij qyteti”.

Limaj tha se minatorët e “Trepçës” nuk janë vetëm të Mitrovicës, por të gjithë Kosovës.

Qazim Shala paraqet programin me 50 pika

I nominuari për kryetar të Mitrovicës, Qazim Shala, gjatë hapjes së fushatës zgjedhore në Mitrovicë, tha se programi i tij qeverisës përmban gjithsej 50 pika.

Gjatë prezantimit të plan-programit, ai tha se boshatisja e fshatrave të komunës së Mitrovicës, po ndodh për shkak të mungesës së perspektivës, raporton Ekonomia Online.

“Zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, janë pjesë të programit në brendësi të qytetit dhe në secilin fshat veç e veç, ndërsa përparësi do të kenë operatorët ekonomikë të cilët do të ofrojnë sa më shumë vende të punës”, ka thënë Shala, në hapje të fushatës.

Ai premtoi gjithashtu lehtësira për të gjithë investitorët e mundshëm, duke siguruar investimin, për marrjen e kredive, si dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore për investitorët.

Shala, gjithashtu, në programin e tij qeverisës ka paraparë ndërtimin e parqeve të çerdheve, modernizimin e hekurudhave, si dhe të përmirësimit të kushteve të ngrohtores.

“Trepça posedon rezervat të shumta, këto rezerva janë të mjaftueshme për më tepër se më shumë se 25 vjet”, ka thënë ai.

Për Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Nisma kandidon me gjithsej 38 kandidatë.

Të ngjashme