Limaj: Mos dërgoni në Kuvend njerëz që e ndërrojnë mendimin

Gjilan | 02 Qer 2017 | 18:09 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në hapje të fushatës zgjedhore në Gjilan, ka porositur gjilanasit se e kanë “një rast të veçantë”. Ai ka bërë thirrje të votohen kandidatët e Nimës e jo “njerëz që e ndërrojnë mendimin”.

“Apeli im është mos dërgoni njerëz në Kuvend që e ndërrojnë mendimin,. Parlamentit nuk i duhen deputet që votojnë diçka që nuk duhet por që e votojnë, i duhen deputetë që nuk votojnë asgjë që i bën keq vendit”, ka thënë Limaj.

E duke iu drejtuar Valdete Bajramit, ish-shefe e Grupit Parlamentarë të Nismës në Kuvendin e kaluar, Limaj thënë se është krenar që në krye të grupit parlamentar ka pasur një grua,e cila “ka dalë më ‘burrneshë’ se shumë burra”.

Sipas Limajt, Gjilani ka krizë për lidership. ” Bajram Hasanit i duhet vetëm mbështetja juaj”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kryeministri i ardhshëm i Kosovës ka nevojë për idetë e Nismës ka nevojë për njerëz që i rrinë afër. “Kryeministrit ‘si duhen njerëz që e shkelin Kushtetutën”.

Nisma hap fushatën në Gjilan, Limaj do të jetë zv.kryeministër

Nisma për Kosovën hapi fushatën edhe në Gjilan, duke besuar se rajonin i Anamoravës, më 11 qershor do ta dëshmojë përkrahjen për këtë parti. E kandidatja për deputete, Valdete Dushica-Bajrami, tha se Fatmir Limaj do të jetë zëvendëskryeministër i vendit.

Duke iu drejtuar simpatizantëve të Nismës, ajo ka kërkuar mobilizim ” kur ka mbetur edhe pak”.

“Ne i kemi qëndruar besnik votës suaj dhe nga këtu kërkoj që t’i përkrahni deputetët e Nismës. Ne do të jemi në qeveri; kryetari Limaj do të jetë zëvendëskryeministër. Kërkoj nga ju që të mbështesni programin e Nismës, e cila do të qeveris me qytetarin dhe për qytetarin”, ka thënë Dushica-Bajrami.

Hasani: Votojeni Nismën, që zëri i Anamoravës të dëgjohet më fuqishëm në Kuvend

Kryetari i Degës së Nismës në Gjilan, Bajram Hasani, ka thënë se është koha për ndryshim, është koha që Nisma të marrë përgjegjësi në qeverisje. Sipas tij, në Gjilan e Anamoravë është investuar pak.

“Të gjithë ju që jeni këtu sot jeni të vetëdijshëm se është koha për ndryshime, është koha për fitoren e Nismës. Ju e keni përjetuar në lëkurën tuaj lënien anash të qytetit tonë dhe rajonit të Anamoravës në përgjithësi. Në Gjilan e Anamoravë është investuar shumë pak. Ju qytetarë të dashur nuk duhet të lejoni më që rajoni ynë të mbetet një zorrë qorre. E keni mundësinë që zëri i Gjilanit e Anamoravës të dëgjohet edhe më fuqishëm në Kuvendin e Kosovës. Është koha që ta ndalojmë këtë trend dhe tu themi jo atyre që në panë vetëm si vota dhe u kujtuan për Gjilanin, Kamenicën e Vitinë vetëm në kohë fushatash”, tha Hasani.

“Gjilanit e Kosovës sot më shumë se kurrë i duhet implementimi i programit të Nismës, program ky që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës tuaj. Ne nuk kemi premtuar kurrë shumë. Edhe kësaj radhe do t’i premtojmë vetëm ato që jemi të sigurt se do t’i realizojmë brenda mandatit të ardhshëm qeverisës, pjesë e së cilës do të jetë edhe Nisma”, theksoi ai.

“Ne qe katër vite kemi hulumtuar shumë, kemi bërë vizita nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës, ku kemi kuptuar cilat janë hallet dhe shqetësimet tuaja. Planin tonë zhvillimor e kemi ndërtuar duke u bazuar në ato që ju shqetësojnë dhe kemi ardhur te një ide se çka duhet të bëjmë konkretisht pas 11 qershorit. E këto brenga tuajat janë edhe prioritete të Nismës”.

Më tutje, kreu i Nismës në Gjilan tha se ky subjekt, që garon në listë të përbashkët me PDK-në dhe AAK-në, ka dalë me disa prioritete të cilat besojmë se do ta ndryshojnë vendin. Kosovës i duhen reforma të reja për t’i dhënë një drejtim të ri vendit tonë.

“Sot sipas statistikave në Kosovë janë 25 mijë familje që nuk kanë asnjë të punësuar që përkthyer në numra i bie që janë 107 mijë veta të cilët nuk marrin asnjë pagë nga shteti dhe jetojnë me ndihma sociale. Këtyre 25 mijë familjeve duhet t’u jepet mundësi e barabartë. Nuk do të lejojmë që në Kosovë të ketë familje që nuk e kanë asnjë të punësuar”.

Të ngjashme