Limaj në 5-vjetorin e Nismës: Mos bëni zhurmë të panevojshme, s’lejojmë cenimin e integritetit

Prishtinë | 28 Shk 2019 | 18:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Askush të mos bëjë zhurmë të panevojshme, sepse Kosova, nuk do të lejojë të bisedojë për hapjen e statusit dhe integritetit të saj, në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

Kështu është shprehur bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj. Ky i fundit tha se Nisma Socialdemokrate mbështet projekte që janë për të mirën e vendit, raporton Ekonomia Online.

“Ne mbështesim projektet të cilat janë në të mirën e vendit tonë. Ne jemi për dialog, sepse ne nuk i frikësohemi tavolinës. Shkojmë atje për ta fuqizuar shtetin e Kosovës. Shpresoj që do të kthehemi me marrëveshje. Nuk do të pranojmë dhe nuk do lejojmë me hapë çështjen e statusit të Kosovës dhe çështjen e integritetit të Kosovës. Andaj të mos bëjmë zhurmë të panevojshme. Më në Kosovë nuk ka me hy mallra me emrin Metohi”, tha Limaj.

Këto komente, Limaj i bëri në shënimin e 5-vjetorit të themelimit të Nisma Socialdemokrate, parti të cilën e udhëheqë.

Limaj tha se rezultatet e mira të vendit, kanë pasur kontributin e Nisma Socialdemokrate.

Ai shtoi se Nisma, ka kaluar nëpër rrugë të vështira por që rezultati për këto pesë vite ka qenë i jashtëzakonshëm.

Kreu i kësaj partie, ka nisur rrëfimin që prej krijimit të Nismës Socialdemokrate. Ndërsa ka kërkuar që ta shfrytëzojnë këtë pesëvjeçarë për të ardhmen e mirë të vendit dhe që qytetarët të bashkohen me Nismën.

“Ishin momente goxha të vështira, momente jo të lehta nëpër të cilat kalonte vendi ynë. Momente aspak të favorshme për alternativë të re politike. Vendi kishte nevojë për alternativë të re që kishte qasje të re me ide të cilat do kthehen më vonë si urë lidhëse të aktiviteteve në shërbim të vendit. Ne u futëm në këtë projekt politik për të përfaqësua burra e gra, djem e vajza të cilët ishin të papërfaqësuara”, tha Limaj.

Sipas Limajt, fryma socialdemokrate është shpërndarë anë e kënd vendit.

“Fryma Socialdemokrate sot është e shpërndarë anë e mbanë Kosovës. Duke ditë që vendi ynë do ballafaqimet me situata të ndryshme ishte e nevojshme të sjellim njerëz që mendojnë me mendjen e tyre, me gjakftohtësi. Ne vitin që do vijmë Kosova do sprovohet me vendime të mëdha. Do varet nga sjellja jonë se si do ti qasemi atyre. Nëse dimë ti bashkojmë energjitë “, shtoi Limaj.

Numri një i Nisma Socialdemokrate, tha se kjo parti ka qenë katalizator i bashkimit të partive opozitare, për një opozitë të bashkuar në mbrojtje të interesave të vendit.

“Ne filluar aktivitetin politik në kushte të vështira por për pak muaj arritëm sukses të jashtëzakonshëm. Duke qenë një katalizator i bashkimit të partive opozitare nisma dha shpresë dhe për herë të parë në Kosovë u bë një opozitë e bashkuar në mbrojtje të interesave të vendit tonë. Duke u bazuar në këtë rezistencë partia më e madhe e pasluftës u rrëzua. Ne kemi dalë me disa zotime tona në fushatën elektorale. Më tepër se 12 mijë njerëz janë drejtuar në vende punësimi”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.

Sipas Limajt , grupi parlamentar i Nismës, është ndër grupet më të disiplinuara dhe më të rregullta në Kuvendin e Kosovës.

Ai shtoi se edhe komunave do t’i epet shpresë.

“Sot kemi plot djem e vajza të reja të cilët lënë gjurmë të jashtëzakonshme dhe japin shpresë. Pjesë e madhe që janë në asamblenë komunale do jenë pjesë edhe e Nismës. Nisma për pesë vite ka dëshmuar se e ka votuesin dhe elektoratin më të përkushtuar me zemër”, tha Limaj, në 5-vjetorin e themelimit të Nisma Socialdemokrate.

Të ngjashme