Limaj: Në dialog me Serbinë shkuan me duar në xhepa, deklaratat për territorin janë përralla

Prizren | 13 Tet 2018 | 17:02 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pavarësia dhe territori i Kosovës janë të panegociueshme në dialog me Serbinë. Të gjithë ata që deklarojnë një gjë të tillë janë duke thënë përralla.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, gjatë një takimi me strukturat e Nismës në Prizren, raporton Ekonomia Online.

Limaj tha se më herët gjatë bisedimeve me shtetin serb, përfaqësuesit e Kosovës kanë shkuar me duar në xhepa. Ndërsa tani, sipas tij, Kosova do të shkojë me kërkesa specifike.

Ai ka ftuar që skena politike të bëhet bashkë për trajtimin e kësaj çështje.

“Kosova si shtet është i pacenueshëm, pavarësia e Kosovës është e panegociushme, shteti i Kosovës është i panegociushëm, territori i saj është i panegociushëm. Ajo që ne mundemi me negociu është anëtarësimi në OKB, në organizatat e tjera ndërkombëtare, njohja e pesë shteteve të BE-së, fati i të pagjeturve, kemi temën e luftës, të ndarjes së pasurisë. Të tjerat janë përralla për ne”.

“Pres dhe apeloj që skena politike sa më shpejt të bëhet bashkë rreth kësaj teme. Me u ulë me biseduar edhe me kry punën me Serbinë. A është më mirë sot me u qu e me maru mirë a me u qu mas gjashtë muajve edhe me ndal diçka që është maru keq”.

“Ne kemi disa kërkesa që nuk i kanë ni përpara. Tu fol për dialogun me Serbinë këta njerëz nuk janë shkuar kurrë me një letër, çka na kërkojmë por janë shkuar me i dëgjuar ata çka po na kërkojnë. Ata janë shkuar me duar në xhepa”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri. Ai tha se deri në fund të muajit tjetër do të përfundojnë të gjitha procedurat parlamentare.

Limaj tha se Kosova nuk do të pranojë asnjëherë krijimin e një republike tjetër brenda Kosovës.

“Me kalimin e ligjeve për FSK-në, Kosova do të ketë ushtrinë deri fund në muajit. Deri në fund të muajit përfundojnë procedurat parlamentare”.

Vartësve të tij, Fatmir Limaj iu ka kërkuar angazhim më të madh në realizimin e synimeve të Nismës Socialdemokrate.

Ndërsa deputeti Bilall Sherifi, tha se degët në Prizren dhe Dragash janë embrioni i Partisë Socialdemokrate.

Mirëpo Sherifi nga përfaqësuesit e strukturave të Nismës në Prizren dhe Dragash kërkoi që të angazhohen më shumë në promovimin e punëve që kji parti bënë.

Ai poashtu kërkoi angazhim më të madh edhe në zgjerimin e partisë që bën pjesë.

“Mos u ndalni duke i dhënë zë të gjitha punëve të mira. Dega juaj këtu dhe në Dragash bënë pjesë në degët e organizuara mirëpo kjo nuk duhet të na vetë kënaq duhet të hapemi në mënyrë që të rritemi”.

“Përpos kontakte të drejtpërdrejta me strukturat tona mendoj që pak më shumë duhet të angazhohemi në përdorimin e rrjeteve sociale. Kemi një mungesë të përdorimit, kemi një përdorim shumë modest në krahasim me mundësitë që janë për të çuar mesazhin politik dhe organizative të Nismës Socialdemokrate”.

Deputetja nga radhët e Nismës, Albulena Balaj- Halimaj, paraqiti punën e asamblistëve të Nisma-s në Prizren. Ajo përmendi kërkesat e tyre sa i përket rritjes së buxhetit, barazisë gjinore e të tjera.

Balaj ka lëvduar edhe punën e deputetëve të Nismës edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetja po ashtu ka paraqitur edhe punën e drejtorëve komunal.

“Zafir Berisha ka ngritur çmimin e naftës dhe të mishit, ai ka bërë thirrje që në çështjen e dialogut të bëhen bashkë për ta çuar përpara këtë proces, ai theksuar nevojën për ligj të veçantë për qeverinë. Unë kam ngritur çështjen e arsimit të viteve të 90-ta dhe presim që shumë shpejtë ky propozim të kalojë në seancë për lexim të dytë”, tha Balaj- Halimaj.

Kryetari i degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha, tha se nuk është i kënaqur me punën që është bërë në Prizren nga përfaqësuesit e Nismës.

Ai ndonëse kërkoi më shumë punë, tha se duhet të mirëkuptohen për shkak se bashkëqeverisja me shumë parti nuk është e lehtë.

“Unë kam menduar që kanë punuar edhe më shumë, por në Prizren kanë edhe tri vjet e ndoshta ky është edhe fillimi. Ne përballemi me probleme dhe sfida”.

“Mendoj se me një korrektësi duhet ta pranojmë si shoqëri dhe si aktivistë përballemi me probleme të trashëguara që nuk duhet t’i zgjidh askush por duhet t’i zgjidhim ne. Bashkëqeverisja mes shumë partive s’mundet me i bë punët që dëshiron andaj ju kërkojmë mirëkuptim”.

Kurse Fatmir Halili, kryetari i degës së Nisma-s në Dragash, tha se përfaqësuesit e Nismës kanë arritur që të adresojnë problemet e qytetarëve edhe në komunën më të largët të Kosovës.

Halili deklaroi se Nisma është duke shkuar drejt zhvillimit, pasi sipas tij, vota që ka marrë kjo parti në zgjedhjeve lokale ka qenë e pastër dhe pa mashtrime.

Andaj ai kërkoi që institucionet e Kosovës të i kushtojë vëmendje të veçantë zonës së Opojës.

“Nisma ka gjetur përkrahjen e fuqishme edhe në komunën më të largët në Dragash. Kemi arritur të krijojmë një ekip që ka arritur të adresoj problemet substanciale. Zgjedhjet lokale kanë nxjerr në pah që Nisma ka ekip të fuqishëm. Vota e Nismës ka qenë votë e pastër pa mashtrim”.

“Nisma si parti është duke shkuar drejt zhvillimit permanent të saj. Vlerësoj se nuk është i rëndësishëm numri i anëtarëve, por i rëndësishëm është vlera e tyre që përfaqësojnë idetë e partisë. Ideja jonë është ndryshimi i kësaj gjendje në të cilën po kalon Kosova”, tha ai.

Takimi më strukturat e saj në Prizren, Nisma Socialdemokrate është duke e bërë pas atij në Ferizaj dhe Gjakovë.

Të ngjashme