Limaj në ditën të moshuarve premton pensione dinjitoze

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nisma Socialdemokrate Famir Limaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve , deklaroi se në këtë ditë theksohet rëndësia e avancimit të mirëqenies së përgjithshme të kategorisë së moshës së tretë.

Ai ka përkujtuar se në Kosovë, të moshuarit nuk kanë gëzuar sa duhet përkrahje nga shteti, deri në kohën kur NISMA ka marrë përgjegjësitë e saj në qeverisjen aktuale.

Nën drejtimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nga ministri Skender Reçica, pensionistët në Kosovë më në fund kanë nisur të ndjejnë dorën e përkujdesjes nga shteti, shkruan Limaj në Facebook.

Sipas Limajt, një nga objektivat kryesore të Nismës është paketa sociale e cila parasheh reformën pensionale, me theks të veçantë sigurimet sociale.

“Po aq e rëndësishme është edhe realizimi zotimit tonë për sigurimin shëndetësor, që me jetësimin e tij do të ketë lehtësira të shumta për të moshuarit tanë. Me reformën rrënjësore në fushën e pensioneve, të cilën e kemi filluar vitin e kaluar, pensionistët e të gjitha kategorive do të trajtohen dinjitetshëm. Ne do të angazhohemi fuqishëm që në Qeverinë e ardhshme të finalizojmë reformën e nisur, me qëllim që të gjitha kategoritë e të moshuarve në Kosovë të gëzojnë trajtim të duhur dhe mirëqenie më të mirë”, shkruan Limaj.

Të ngjashme