Limaj në Gjakovë: Kosovës s’i duhet përçarja, duhet të bëhemi bashkë për shtetin, punëtorin…

Gjakovë | 29 Sht 2019 | 19:43 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjatë një tubimi në Gjakovë, ka ftuar kundërshtarët politikë që të bëhen bashkë kur është në pyetje shteti.

Limaj tha para qytetarëve se kundërshtarët politikë duhet ta gjejnë gjuhën e komunikimit, sepse shteti nuk mbahet me vetëm një person.

“Kosova ka nevojë për deputet që ngrisin zërin e qytetarëve. Ne duam që me kundërshtarët politikë të gjejmë gjuhën e komunikimit. Shteti kurrë s’e ka pasur vetëm një njeri dhe ne do ta mbrojmë bashkë. Ne kemi nevojë për kundërshtarët tanë politikë sepse pa ata s’mund ta bëjmë. Pa e dashtë vendin tënd nuk mund ta drejtosh atë si duhet. Kosova nuk ka nevojë për përçarje. Sa here janë bashkuar shqiptarët kanë arritur mrekulli”, tha Limaj, raporton Ekonomia Online.

“Sot kemi ardhur për mbështetjen e kandidateve tanë dhe ata kanë nevojë për mbështetjen e juaj. Gjakova po ballafaqohet me lloj-lloj premtimesh të natyrave të ndryshme. Bashkë për shtetin, për punëtorin dhe Ligjin e Punës. Bashkë për të rinjtë dhe për t’i krijuar mundësi atyre. Me qindra mijëra gra të Kosovës për t’i ofruar një jetë të dinjitetshme. Qindra pensionistë meritojnë një pension të dinjitetshëm për jetën. Shumë punëtorë sot në Kosovë nuk e kanë të siguruar jetën”.

“Fshatarët dhe fermerët kanë nevojë për ndihmë duke ndihmuar ata ndihmojnë familjen dhe buxhetin e shtetit. Për një shtet më të fuqishëm duhet të jemi bashkë për drejtësi dhe ne duam të luftojmë çdo lloj padrejtësie që bëhet në Kosovë. Kosova ka nevojë për deputetë që punojnë për të mirën e vendit dhe jo që shajnë njeri- tjetrin. Ne duam njerëz aktivë dhe jo te rrinë në zyre për të mashtruar njerëz”.

Kandidati për deputet i Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha, tha se Kosovës i duhet një kryeministër si Limaj i cili asnjëherë nuk e ka prioritet veten.

“Jemi ndier shumë mirë me qytetarët e Kosovës se si strukturë politike dhe lideri jonë është treguar unifikues që i ka munguar skenës sonë politike, i cili asnjëherë nuk e ka prioritet vetën dhe gjithmonë është përballë qytetarëve dhe shtetit. Programi ynë po gjen mbështetje të madhe nga të gjithë qytetarët dhe do të jemi gjithmonë aty ku na kërkojnë qytetarët. Nisma do të garantojë Autostradën e Dukagjinit, autostradë që shkon në favor të bizneseve familjare dhe bizneseve të mesme”, tha Hoxha.

Të ngjashme