Limaj në linjë me Mustafën për marrëveshjen e Uashingtonit

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Uashington është finalizuar të enjten dhe të nesërmen kur është nënshkruar nuk ka pësuar asnjë ndryshim.

Limaj thotë se në vazhdimësi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Avdullah Hoti, zëvendëskryeministren Albulena Balaj-Halimaj, dhe koordinatorin Skender Hyseni.

“Drafti i parë është diskutuar ditën e enjte në orën 17:00 dhe kemi pasur komunikim të vazhdueshëm me delegacionin. Në draftin e parë kemi pasur vërejtje, dhe në pikat e kontestuara drafti ka ardhur me vërejtje nga delegacioni ynë, i cili ka nënvizuar këto vërejtje”, ka thënë Limaj në RTK.

Më tutje, ai thotë se Nisma e ka dhënë pëlqimin për versionin e fundit, dhe se versioni i së enjtes është mbyllur dhe të premten është nënshkruar.

“Delegacioni dhe kryeministri kanë qenë korrekt dhe në vazhdimësi kanë marrë qëndrimin tonë”, ka thënë ai.

Limaj ka thënë se në këso tema nuk bën të kalkulohet politikisht. Ai ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum dhe ta rrisë dinamikën për ta sfiduar Aleksandar Vuçiqin se a e ka ndërmend për ta njohur Kosovën.

“Kjo që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë nuk ka asgjë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shtuar Limaj.

Të ngjashme