Limaj nga Drenasi: Shantazhuesit në shtëpi, është koha e njerëzve meritorë dhe shtetit të së drejtës

Drenas | 01 Tet 2019 | 17:12 | Nga Luiza Vrajolli-Mulliqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur tubim elektoral me qytetarët e Drenasit, në të cilin u shpalos programi i tyre për qeverisjen e ardhshme në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Aty u përmend vjedhja dhe mashtrimi me vota, keqqeverisja, gjendja në arsim dhe ekonomi që sipas tyre e kanë rënduar gjendjen në Kosovë.

Kandidati i Nismas Socialdemokrate për kryeministër të Kosovës, Fatmir Limaj, u ka premtuar qytetarëve që kësaj radhe nuk do të ketë shantazhim të qytetarëve me vota sepse do të fitojnë të drejtit dhe vullneti i qytetarëve.

Duke u atribuuar atyre që sipas tij po manipulojnë me vota ai thotë se ata janë duke ikur ndërkaq është kohë e qytetarëve dhe njerëzve të drejtë që po vijnë.

“Strukturat tona në Drenas janë kthyer në promotor të ndryshimeve. Deri para 5 vjetëve këtu ka qenë vështirë të flitet për demokraci. Fatkeqësisht këtu ende ka njerëz që mendojnë se Drenas është pronë e tyre private. Ky popull këtu ka bërë sakrifica të mëdha, dhimbje të mëdha, asnjëherë s’kanë lejuar të preket krenaria e tyre, tani janë çuar disa grupe që po tentojnë ta zhveshin krenarinë dhe t’i kthejnë në robotë, që tentojnë që qytetarët t’i qesin në pazar. Nuk lanë asnjë metodë për të përdorur për të shantazhuar qytetarët, për t’i lënë të lirë të votojnë. Unë e kam një porosi për këta njerëz. Këtyre njerëzve u them shkoni lirshëm në shtëpi, leni njerëzit të jetojnë lirshëm”, ka thënë Limaj.

” Stop shantazhit, stop rrenave sepse nuk mund ta ndalni vullnetin e qytetarëve të Drenasit dhe gjithë Kosovës. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë, ne kemi vizion, ne do të vazhdojmë fuqishëm. Ju miq që këtu që jeni, emisarët e tillë duke shetitur nëpër fshatra po bëjnë përpjekje për t’ju shantazhuar, ata janë duke ikur ju jeni duke ardhë, mos lejoni që dikush ta prek krenarinë dhe dinjitetin tuaj. O pasha zotin sun pshtoni boni qka doni”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismas Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se gjendja e krijuar në vend ku blihen votat dhe mashtrohen njerëzit është për keqardhje derisa tha se Kosovës i duhet një klasë politike që krijon perspektivë për gjithë qytetarët.

“Ndoshta arsimi i ka fajet sepse nuk është në nivelin e duhur, në çdo vend ku mashtrohen njerëzit , ku blihen votat nuk ka shtet të së drejtës, Kosovës i duhet një klasë politike që krijon perspektivën për gjithë kombin dhe gjeneratën e re që duhet ta gëzojnë gjithë Kosovën. Ne jemi të bindur se Nisma ofron kandidatët e përgatitur për të marrë përgjegjësi”.

“Sot, Drenasit dhe gjithë Kosovës i duhet lider, udhëheqës që bashkë me qytetarët e ndërton shtetin e së drejtës. Kur them këtë e kam parasysh sepse i njoh të gjithë kandidatët për kryeministër, i njoh kualitetet e tyre, bindja ime e plotë se kandidati i Nismës është më kompetent për qeverisjen e Kosovës në vitet në vazhdim, prandaj askujt nuk duhet t’i vie zor që më 6 tetor të votohen Nisma Socialdemokrate dhe numri 1, Fatmir Limaj”

“Kushtet shoqërore dhe ekonomike kërkojnë që shteti të ndërtohet në parimet e socialdemokracisë. Kosova do të jetë shtet i së drejtës, ku sundon rendi dhe ligji sepse atëherë krijohen mundësitë për integrime dhe lëvizje të lirë të qytetarëve”.

Kryetari i degës së Nismas në Drenas, Isa Xhemajlaj, ka thënë se këto 10 vjet Kosova është ngulfatur nga njerëzit egoistë që e kanë shkatërruar vendin.

Ai tha se të gjithë ata që po tentojnë të blejnë vota e kanë tradhtuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

“Të gjithë ata që po tentojnë të blejnë vota e kanë tradhtuar vullnetin e qytetarëve. Parlamentin e Kosovës do ta bëjmë bashkë më këta njerëz që kanë treguar me punën e tyre se vërtet e duan këtë shtet”, tha Xhamajlaj, raporton EO.

“Drenasi është ngulfatur nga korrupsioni, shantazhi dhe nepotizmi, ne nuk i duam ato vota, nuk blejmë vota, ne i duam ato vota që bëhen me zemër”.

“Ky vend nuk ka nevojë për njerëz që premtojnë 100 mijë vende pune, nuk ka nevojë për njerëz që mendojnë vetëm për vetën, ka ardhur koha që gjërat të ndryshojnë në Kosovë”.

Ai ka premtuar benificione për studentët derisa është zotuar se do të punojnë shumë që ta ulin varfërinë në Kosovë.

Të ngjashme