Limaj: Nga partia që fitoi 50 % kemi pritur reforma, po shohim administrim kaotik e mungesë përvoje

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 09:36 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se pritjet e të gjithëve kanë qenë që Qeveria Kurti, pas fitores “plebishitare” të 14 shkurtit 2021, do të sjellë ndryshime reformatore në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, në vitin e parë të qeverisjes kemi parë një administrim kaotik dhe vendosjen e njerëzve të papërvojë në krye të dikastereve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Limaj ka thënë se Kosova aktualisht qeveriset nga një qeveri që e mohon të kaluarën e vet – përfshirë qëndrimin për çështjen e dialogun; një parti që tenton të mohojë çdo gjë që është krijuar për 20 vjet deri në ndërtimin e shtetit. Ai i ka bërë thirrje Kurtit që ta ndalojë politikën anti-shtet, anti-liri dhe anti-UÇK.

“Pritje e të gjithëve ka qenë që një qeveri me 50 për qind të votave do të jetë një qeveri reformatore e ndryshimeve të mëdha e cilat do të kenë impakt në gjithë sektorët e shoqërisë. Fatkeqësisht, ajo çka kemi parë deri më tani është një lloj administrimi kaotik të vendit, duke parë që në krye të dikastereve janë një grumbull të njerëzve të cilët kanë mungesë përvoje”.

“Nuk kanë ide të politikave sektoriale, të masave preventive, të nuhatjes së zhvillimeve, të marrjes së masave të cilat do të garantonin stabilitet ekonomik e politik. Kemi ardhur në një gjendje, ku jeta në Kosovë në të gjitha sektorët është e shtrenjtuar, por nuk kemi parë asnjë masë adekuate reformatore të Qeverisë për të përmirësuar jetën në vendin tonë”, tha Limaj.

“Deri më tani kemi parë lëvizje të ndryshimeve të bordeve dhe pozicioneve, duke u marrë me gjëra të vogla e të parëndësishme. Ende nuk kemi parë asnjë projektligj, asnjë veprim serioz i cili do të kishte impakt ekonomik për qytetarët”, tha ai.

Limaj, i cili ka qenë zv.kryeministër në Qeverinë Haradinaj, thotë se e ka befasuar dhe qasja “amatore” e kryeministrit Albin Kurti me rastin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Sipas tij, Kurti nuk ka njohuri elementare sesi kontraktohet dhe rezervohet energjia.

Ai thotë se mungesa e energjisë elektrike, në shkallë globale, ka qenë e paralajmëruar shumë muaj përpara. “Në raste të tilla energjia rezervohet ose blihet në kohën e duhur për të garantuar energji të mjaftueshme në sezonin e dimrit. Kjo qeveri nuk ka bërë një veprim të tillë… Kosova po futet në një krizë të madhe ekonomike e cila drejtpërdrejt reflektohet te fuqia blerëse e qytetarit, te shporta familjare”, thekson kreu i Nismës.

Ndërsa e quan anemike opozitën aktuale në Kuvend, Limaj mbështet çdo formë të opozitarizmit kundër kësaj qeverisje të keqe, duke mos i përjashtuar edhe protestat.

“Ne përkrahim të gjitha llojet e opozitarizimit në tema të tilla në të cilat ka argumente dhe ne nuk jemi kundër asnjë forme të veprimit të opozitarizmit. Ajo çka na duhet është një opozitë ndryshe në parlament e cila është tepër anemike, një opozitë që nuk reagon me kohë, dhe nuk komenton defektet e qeverisë. Besoj që qytetarët e Kosovës kanë nevojë më shumë se kurrë për informacion të plotë. Neve na duhet një fushatë informuese, argumentuese e konkrete për t’iu treguar qytetarëve se çka po ndodh. Ne mbështesim çdo formë të opozitarizmit edhe protesta por unë besoj që opozita para së gjithash duhet të koordinohet për të gjetur rrugë alternative të kundërshtimit. Unë jam pro edhe protestave”.

Në vazhdim të intervistës, Limaj ka theksuar se Kosova po qeveriset nga një kryeministër që ka probleme me të kaluarën e vet dhe i cili mohon qëndrimin shumëvjeçare kundër dialogut. Ish-komandanti i UÇK-së mendon se në Qeverinë Kurti ka një frymë të theksuar anti-UÇK dhe anti-shtet.

“Kosova qeveriset nga një qeveri që ka probleme me të kaluarën e vet. Nuk e njeh dhe mohon të kaluarën edhe dialogun. Partia anti-shtet që ka qenë dikur, sot i ka 50 për qind të elektoratit. Ajo tenton të mohojë çdo gjë që është krijuar për vite të tëra deri në ndërtimin e shtetit dhe fatkeqësisht edhe memorien institucionale e shlyen deri te dialogu. Besoj që kjo sjellje joserioze e qeverisë po reflekton edhe në dialog”.

“Fatkeqësisht, zhvillimet gjeopolitike në rajon e përtej rajonit janë krejt ndryshe nga si kanë qenë dikur”. Sa e rëndësishme ka qenë periudha 1998-1999 për Kosovën, sipas tij, e tregojnë dhe zhvillimet në Ukrainë.

“Për çdo qytetar, mjaftueshëm është për të treguar që ka qenë treni i lirisë dhe i pavarësisë. Dhe ata njerëz nuk e kanë bërë pa e menduar. Andaj duhet respektuar atë gjeneratë. Po të mos vepronim atëherë në luftën çlirimtare sot do të ishim krahinë”.

“Qeveria e Kosovës duhet ta ndalojë politikën anti-shtet, anti-liri dhe anti-UÇK. Nuk është votuar Qeveria e Kosovës për një frymë të tillë anti-shtet, por të mbrojë interesat nacionale të Kosovës”.

Me një politikë shtetërore, shtetëndërtuese e respektuese të historisë, mbrohen edhe ish-drejtuesit e UÇK-së të cilët ndodhen në Hagë, thekson Fatmir Limaj.

Të ngjashme