Limaj nga Tirana: Progres në katër marrëveshjet e arritura në Pejë, qershori afati i fundit për zbatim

Tiranë | 20 Maj 2019 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori kombëtar, Fatmir Limaj, ka mbledhur ministrat e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, për të diskutuar lidhur me rezultatet e arritura deri më tani përmes marrëveshjeve të nënshkruara nga mbledhja e dy Qeverive në Pejë, raporton Ekonomia Online.

Limaj tha se kjo mbledhje ka për qëllim diskutimin edhe të sfidave dhe barrierave të paraqitura në implementimin e marrëveshjeve dhe trajtimin e çështjeve të identifikuara nga takimi i parë.

Ai tha se qershori do të jetë afati i fundit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Ky takim koordinues ka për qëllim trajtimin e çështjeve të identifikuara nga takimi i parë, që nënkupton që diskutimi sot do të orientohet në sfidat që kërkojnë veprime konkrete nga organet zbatuese me qëllim të tejkalimit me lehtësi duke reaguar në kohë. Konsiderojmë se koordinimi i aktiviteteve nga të dy palët do të të garantojë implementimin e këtyre marrëveshjeve mes dy Qeverive tona. Ajo që unë mund të them me kënaqësi sot, nga katër marrëveshje që kemi arritur në mbledhjen e dy Qeverive në Pejë ka pasur një progres, të shfrytëzojmë rastin të shohim ku jemi me katër marrëveshjet e nënshkruara. Ashtu siç e kemi bërë një tajming qershori do të jetë afati i fundit në implementimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Pejë”, tha Limaj.

Zv.kryeministri i Shqipërisë, Erjon Braçe, tha se që nga mbledhja e parë qeveritë kanë kaluar në përafrime edhe të legjislacionit të të dyja vendeve tona, raporton EO.

” Në funksion të hapjes së tregjeve tona ne kemi punuar ngushtësisht në muajt e fundit për heqjen e vështirësive të tejkaluara në kohë në kohën e kalimit të kufijve të lëvizshmërisë së njerëzve. Por heqja e pengesave të kalimit kufitar ka edhe një aspekt të rëndësishëm sigurie, sa kombëtar aq edhe rajonale dhe evropiane. Menaxhimi i kufijve është një çështje komplekse, gati – gati një sfidë në vete, por nëse bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë punët ndërmjet strukturave tona sfida bëhet shumë here më e menaxhueshme. Ne synojmë të realizojmë menaxhimin integruar të kufijve përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, tha ai

Të ngjashme