Limaj: Nuk do të dialogojmë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës

Malishevë | 20 Tet 2018 | 17:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëkohësisht zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, ka siguruar përkrahësit e tij gjatë një tubimi në Malishevë se në dialogun me Serbinë në Bruksel nuk do të diskutohet asnjëherë jashtë asaj çka parasheh Kushtetuta e Kosovës, raporton Ekonomia Online

Në një takim takim me strukturat drejtuese të degëve të Nismës nga Malisheva, Suhareka dhe Rahoveci, Limaj tha se në tavolinën ku është Nisma nuk bisedohet asgjë tjetër përveç temave si fuqizimi i shtetit të Kosovës e njohja nga OKB-ja.

“Ne nuk pranojmë dhe nuk diskutojmë jashtë asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës. Në tavolinën ku është Nisma nuk bisedohet asgjë tjetër përveç këtyre temave; fuqizimit të shtetit të Kosovës, njohjen në OKB, njohje nga pesë vende, por kemi kërkesa edhe për Bashkimin Evropian. Do të shkojmë të bisedojmë, gjithmonë për interesin e vendit tonë, asnjëherë në asnjë rrethanë, dhe me asnjë çmim, nuk ka tavolinë të bisedimeve që Nisma ulet për ta dëmtuar Republikën e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Shkojmë për ta fuqizuar dhe për t’i hapur perspektive vendit tonë”.

Limaj është caktuar koordinator i bisedimeve me Serbinë, por nuk e ka marrë ende bekimin e Kuvendit.

“Iu bëjmë apel forcave politike që kanë marrë pëlqimin e vendit tonë mos t’i kthejnë shpinën përgjegjësive, lehtë është me ulë kokën me u bë që s’po shoh e mos u bë që s’po di çka po ndodh, por ashtu vendi nuk ecë”, tha Limaj.

Limaj ka thënë se Nisma i ka dhënë një frymë të re qeverisjes në Kosovë përmes ideve të ndryshme, sipas tij ajo më e frytshmja, përfshirja e të rinjve, gjë që ai tha se partitë e tjera nuk e mbajnë prioritet dhe nuk i kushtojnë rëndësi. Ai e ka quajtur Malishevën si shembull që duhet ndjekur si komunë e suksesshme.

“Malisheva ka qenë model që kur qytetarët janë bashkuar për të fituar, duke ngadhënjyer në mënyrë spektakolare dhe askush nuk ka parashikuar se do ndodhë një ndryshim i madh. Le të shërbejë ky model për Nismën”.

“Hapat dhe arritja e qëllimeve asnjëherë nuk është e lehtë dhe do shumë sakrificë e angazhim po edhe ajo që bëhet dhe sukseset nuk mund të arrihen pa punë”.

“Mos e humbni vullnetin në objektivin që jemi nisur. Në politikë humbjen e kanë ata që lodhen, ata që se kanë durimin, ata që e kanë shpirtin në fyt humbin. Fitojnë ata që e kanë të qartë ku kanë me mbërri, me punu fort për aty ku ia ke vënë qëllimin vetes. Rezultatet qe po na vijnë në Malishevë nuk janë vetëm rezultat i punës të qytetarëve të Malishevës, janë pjesë e aktivistëve, të Rahovecit, Suharekës….”

“Me ardhjen në Qeveri, Nisma ka sjellë frymë njerëzore, transparencë, qasje tjetër të komunikimit me njerëz, ka krijuar bashkëpunim me partitë e tjera politike”.

“Kjo parti është pjekë strukturalisht e politikisht. Sot kemi drejtues shtetërorë që janë të gatshëm të shkojnë në një fazë tjetër. Nisma ka ardhë në një fazë ku strukturalisht, politikisht duhet me u përgatit me e marrë një hap tjetër”.

“Besojuni vajzave dhe djemve të rinj. Hapni degë, ofroni ide dhe mundësi kuadrove të rinj. Mos paragjykoni në aftësitë dhe vullnetin e kuadrove të rinj sepse edhe juve dikush iu ka besuar pa ju provuar dhe nëse kthehemi në rreth të ngushtë – dështojmë”.

“Apeli për të rinjtë është të mos nguteni; punët e mira nuk vijnë shpejt”.

Limaj ka thënë se në qytetin e Suharekës do të nisin punimet rreth parkut për të cilin janë ndarë edhe mjetet financiare sipas tij.

“Javën e ardhshme fillojnë punimet me 3 milionë e gjysmë për ta shndërruar parkun në qytetin e Suharekës”, ka thënë Limaj.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/nisma-po-forcohemi-kryeministri-i-ardhshem-eshte-fatmir-limaj/

Të ngjashme