Limaj për Blakajn: Askush s’mund të ikë nga detyra që e merr vullnetarisht

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 16:49 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, e ka quajtur të kotë debatin rreth manipulimeve me listat e veteranëve të UÇK-së, ndërkohë që ka bërë thirrje që kjo çështje të rregullohet përmes rrugëve ligjore.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Limaj thotë se ngjarjet dhe debatet e fundit që kanë ndodhur nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problemit me veteranët.

“Unë e kam dëgjuar dhe po vazhdoj të dëgjoj debatin, jo vetëm tash kohëve të fundit, po një kohë të gjatë rreth kësaj teme dhe ky debat nuk çon askund. As nuk e adreson shqetësimin e njerëzve që e kanë për këtë çështje, por edhe ata që janë të interesuar me bë zhurmë, asgjë nuk përfitojnë nga kjo çështje”.

“Ne jemi shtet i rregullt, shtet ligjor, një shtet që ka ligje e rregulla dhe çështjet e tilla duhet të adresohen vetëm me ligj, kushdo që ka telashe dhe kjo e përmbyll këtë. Nëse vërtetë jemi të shqetësuar dhe të interesuar të përmbyllet kjo çështje siç duhet, atëherë duhet të futën në punë instrumentet e shtetit, të drejtësisë, për të hetuar dhe vlerësuar deri në fund këtë çështje. Kjo është tema që i duhet Kosovës. Deri tash, ajo çfarë kemi parë, asgjë nuk ndihmon dhe kontribuon, pavarësisht se cilës palë apo në cilën anë të debatit janë njerëzit”, thekson Limaj.

Ndërkaq, lidhur me dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, i cili ngriti aktakuzë për anëtarët e komisionit qeveritar, që dyshohen se kanë futur jashtëligjshëm mbi 19 mijë persona në listat e veteranëve dhe u largua drejt SHBA-ve me arsyetimin se ishte i kërcënuar, Limaj pohon se askush nuk mund të ikë nga detyra që e ka marrë vullnetarisht.

“Secili duhet ta kryejë detyrën e vet dhe unë pres që secili të jetë në përmbushjen e detyrave të veta që i ka përcaktuar ligji dhe Kushtetuta. Askush nuk mund të hiqet dhe të ikë nga detyrimet ligjore dhe detyra e tyre me ligj që e kanë marrë vullnetarisht. Unë i ftoj të gjithë që të mos fshihen nga debatet e kota shterpe, që nuk i shërbejnë askujt”.

“Njerëzit e këtij vendi duan t’i shohin drejtuesit e tyre duke kryer detyrat e tyre që ua obligon ligji dhe vetëm kështu ne e përmbushim obligimin tonë ndaj qytetarëve dhe Kushtetutës. Tjerat janë debate të kota, të parëndësishme dhe që askush nuk përfiton”, thotë Limaj për Ekonomia Online.

Të ngjashme