Limaj: Qeveria uzurpoi pushtetin që nuk i takon

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 23:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vlerësuar nëpërmjet një postimi në Facebook, se Qeveria e Kosovës ka uzurpuar pushtetin që nuk i takon, si dhe ka shkelur e përjashtuar të drejtat e qytetarëve.

Reagimi i Limajt vjen pasi Qeveria mori vendim të hënën mbrëma që nga nesër të kufizojë lëvizjen e qytetarëve si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

“Qeveria e Kosovës me vendimin e sotëm për kufizimin e lëvizjes ka uzurpuar pushtetin që nuk i takon, si dhe ka shkelur dhe përjashtuar të drejtat e qytetarëve. Në fakt, ky është sulm në rendin kushtetues të Kosovës. Masat e tilla janë të parapara se si mund të merren, pra Neni 56 dhe 131 i Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në asnjë rast dhe në asnjë ligj Qeveria nuk ka të drejtë të marrë apo të shpallë masa të tilla siç i ka përshkruar në vendim.

“Prandaj, kërkoj nga Qeveria që urgjentisht ta shfuqizoj këtë vendim antikushtetues dhe të kthejë qeverisjen brenda kuadrit ligjor e kushtetues. Për çfarëdo masa që merr duhet të respektojë procedurat ligjore dhe kushtetuese”, ka shkruar ai.

Të ngjashme