Limaj: Qytetarët janë lodhur nga gjuha helmuese dhe mashtruese, projekti ynë ka ngritur në këmbë të gjithë

Prishtinë | 02 Tet 2019 | 19:26 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma Socialdemokrate ka mbajtur tubimin e saj të dytë zgjedhor me qytetarë në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i kësaj partie dhe kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj, tha se qytetarët janë të lodhur nga gjuha helmuese dhe mashtruese, andaj sipas tij projekti “Bashkë për Shtetin” i ka ngritur në këmbë të gjitha moshat.

“Kjo që po shohim sonte në Prishtinë tregon që ne jemi të fuqishëm si Nismë, si koalicion dhe si Kosovë. Këto ditë kemi vizituar gjithë Kosovën dhe komunat tona, jemi takuar me të gjitha moshat e kemi bashkëbiseduar nga ajo që ne kemi parë qytetarët e Kosovës duan bashkim për shtetin, njerëzit tanë janë lodhur nga fjalët që nuk kanë rezultate, ata janë lodhur nga gjuha helmuese, jam lodhur nga gjuha e mashtrimeve, projekti ynë bashkë për shtetin ka ngritur në këmbë të gjitha moshat në Kosovë. Jemi në Prishtinë edhe unë si ju jam shkolluar në Prishtinë kam kryer shkollën e mesme në kryeqytet”, tha Limaj.

“Ne nuk hoqëm dorë nga vendi ynë edhe atëherë kur në mbrëmje arrestoheshim dhe të nesërmen shkonim në fakultet si studentë. Ne të edukuar nga familjet tona ne të rinjtë e Kosovës në atë kohë u lidhëm edhe më tepër për vendin tonë, atëherë nuk diskutohej vendi i punës apo koha e lirë, atëherë diskutohej vetëm për mbijetesë. Këta që sot e gëzojnë është bartë gjeneratë pas gjenerate, është meritë e qindra burrave intelektualë që s’janë në mesin tonë. Është meritë e qindra e mijërave nënave tona që janë boshti i lirisë së Kosovës, të cilat të vetëdijshme sakrifikuan rininë e tyre. Kosova ka ardhë këtu bashkë. Ne nuk hoqëm dorë edhe kur i lëmë fëmijët tanë”.

Limaj shtoi se ka pasur propaganda tek të rinjtë që ta lëshojnë shtetin e tyre.

Sipas tij Kosova do të bëhet pavarësisht sakrificave.

“Mosha mesatare e gjithë dëshmorëve të Kosovës, nuk e kalon moshën 22 vjeçare. Ka pasur propagandë të mençme deri tash për rininë e Kosovës për ta lëshuar vendin e tyre. Mos hiqni dorë nga Kosova pavarësisht sakrificave ky vend do të bëhet. Ajo çka asnjëherë nuk duhet me ardhë në pikëpyetje është shteti. Ne duam të punojmë e edhe kur gabojmë duhet të vazhdojmë të punojmë. Do angazhohemi në transformimin të kryeqytetit. Projekti ynë për bujqësinë fuqishëm do të kthehet në zonat rurale edhe të kryeqytetit. Nuk ka investim më strategjik se sa të investosh në zonat kufitare”, tha Limaj

Ministri në detyrë i MPMS-së dhe kanidati për deputet, Skënder Reçica, , tha se plani nacional për zbutjen e papunësisë do të kthejë shpresën për të rinjtë e vendit.

“Tetorët në Kosovë mbahen mend gjithmonë sepse zgjojnë ndjenjat më të thella të liridashësve. 6 tetori i këtij viti është i rëndësisë të veçantë sepse qytetarët vendosin për alternativën e tyre. Kurorëzimi i kësaj fitoreje është sukses për kandidatët më të mirë të Nismës. Tashmë në këtë sallë po vërtetohet që Kosova ka nevojë për ndryshime. Suksesi i politikave socialdemokrate është vërtetuar nga Nisma në këto dy vite në qeverisje me z.Limaj. Plani nacional për zbutjen e papunësisë do të kthejë shpresën për të rinjtë e vendit. Të drejtat e punëtorëve siguria dhe shëndeti në vendin e punës në vazhdimësi ka qenë preokupim i yni”, tha ai, raporton EO.

Sekretari i kësaj partie dhe kandidati për deputet, Bilall Sherifi, tha se duhet mobilizim dhe të kërkohet vota derë më derë për Limajn.

“Krejt çka kërkohet nga ju rinia sot është që të mobilizoheni dhe të bashkëbisedoni me familjarë dhe të kërkoni mbështetje për njeriun që i përballoi të gjitha sfidave që i dolën përpara, jo për interesa personale por për interesa të vendit. E nderuar rini ju sot e keni një mundësi të artë që pa u frikuar nga askush dhe kërcënuar me jetë të punoni pandërprerë këto ditë, të shkoni derë më derë dhe të kërkoni mbështetje për z.Limaj”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme