Limaj: Vendimi për themelimin e Nismës doli se ishte i drejtë

Prishtinë | 27 Shk 2018 | 18:35 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në shënimin e katërvjetorit të themelimit të partisë, tha se Nisma po rritet çdo ditë.  Sipas tij, sot po vërtetohet se vendimi për themelimin e Nismës doli se ishte i drejtë.

“Nisma Socialdemokrate dallon prej të tjerave sepse Nisma e mban fjalën”, u shpreh Limaj, raporton Ekonomia Online.

“Ne, një grup intelektualësh e qytetarësh të këtij vendi, para 4 vitesh morëm një vendim për të themeluar një subjekt politik që ne besonim fortë që i mungonte Kosovës; besonim se Kosovës i mungon fryma social-demokrate, e cila është afër qytetarit, është afër njerëzve në nevojë, që e mbështet punëtorin, fshatarin, studentin. Nuk ka shtet pa popullin, nuk mbrohen interesat e një shteti nëse brenda nuk punon për t’ia zgjidhur interesat qytetarit për të cilën punon, dhe kështu kemi filluar duke qenë të bindur se kjo forcë politike i duhet Kosovës”, tha Limaj.

Sipas tij, Nisma ka për synim mbrojtjen e qytetarit të saj, dhe dallon prej partive të tjera duke mbajtur fjalën për premtimet ndaj qytetarëve të saj.

Ai tha se Nisma tashmë ka 250 zyrtarë pjesëtarë që kanë përgjegjësi shtetërore në nivel qendror dhe lokal.

“Prej kur kemi filluar e deri sot janë mbi 250 zyrtarë shtetëror që ka marrë përgjegjësi për të drejtuar nivelin qendror shtetëror dhe lokal, jemi parti që ka grupin e saj parlamentar në Kuvendin e Kosovës, por dhe në asambletë e komunave”.

Ai njoftoi se edhe në këtë ceremoni atyre iu janë bashkuar dhjetëra intelektualë dhe anëtarë të rinj.

“Dua të shfrytëzojë rastin t’iu shpreh mirëseardhje në struktura e partisë dhjetëra e qindra intelektualëve të Kosovës që formalisht e zyrtarisht do t’i bashkohen Nismës Socialdemokrate. Mirë se keni ardhur ne familjen tuaj, me vizionin e saj që po shpalos këto 4 vite”.

“Pas demarkacionit, do të punojmë për shkapjen e shtetit”

Kreu i Nismës beson se marrëveshja për demarkacionin do të kalojë nesër në Kuvendin e Kosovës. Dhe për zhbllokimin e situatës meritat ia la vetes.

“Rastet e fundit të ideve tona, tregojnë më së miri që ato ide e çojnë Kosovën drejt fitores dhe e zhbllokojnë kriza dhe situata në të cilat kanë qenë vendi. Prandaj, me plot kuptimin e fjalës e themi, me fitoren e Nismës Socialdemokrate gjithmonë ka me fituar Republika e Kosovës, se ne kurrë interesin partiak nuk e nxjerrim para interesit të vendit tonë Kosovës”, tha Limaj.

“Pas demarkacionit, ajo që do të bëjmë nesër është se do të punojmë për çkapjen e shtetit nga bandat”, deklaroi ai.

Sipas tij, shteti ka nevojë “të çkapet” duke nisur nga rendi, ligji, luftimi i bandave kriminale dhe i atyre që tentuan të vjedhin të ardhmen e Kosovës.

Nisma shënon 4-vjetorin e themelimit, Krasniqi thotë se Kosovës i duhet bashkimi i socialdemokratëve

Nisma Socialdemokrate po shënon katërvjetorin e themelimit, me një tubim në hotelin “Emerald”, ku po marrin pjesë drejtuesit e partisë e mysafirë të tjerë.

Kryetari i Këshillit të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në fjalimin e tij foli për të arriturat e partisë për këto katër vjet nga themelimi.

Sipas tij, Nisma para katër vitesh e nisi një rrugëtim të ri për të mirën e qytetarëve. Krasniqi theksoi se Nisma dallon nga partitë e tjera, duke e pasur në qendër qytetarin.

“Para 4 vitesh, Kosovës i duhej një parti qytetare. Pas 4 viteve jemi të bindur që Kosovës i duhet një parti e fuqishme social-demokrate”, u shpreh Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Në vazhdim, Krasniqi bëri thirrje që qytetarët të bashkohen rreth partisë së udhëhequr nga Fatmir Limaj, pasi vetëm kështu mund të bëhen ndryshimet.

“Me politika të deritashme nuk mund të hyjmë në sfida të reja të shtet-ndërtimit. Këtë mundësi nuk e kishim para 4 vitesh, por i kemi këto 4 vite qe kemi krijuar mundësi të reja organizimi. Kemi ndërtuar një rrugëtim politik, kemi filluar t’iu krijojmë një solidaritet qytetarëve tonë”.

“Sfida për shtetin e drejtësisë do të thotë, shtet i zhvilluar ekonomikisht, shtet i arsimit shëndetësisë”.

“Me neve, askush nuk mund të dyshojë se na mungon dija, dashuria dhe drejtësia për të ndryshuar gjendjen në qeverisjen e shtetit të së drejtës; rrugëtimi ynë, puna jonë e konfirmon këtë. Nisma duhet të ndahet nga politikat e shumta që nuk kanë vesh e sy, nga ato politika që nuk kanë sy të shikojnë e vesh të dëgjojnë hallet e shqiptarëve”, u shpreh kryetari i Këshillit të Nismës.

“Me ne askush nuk mund të dyshoj se na mungon dashuria, besueshmëria, saktësia dhe vullneti për të ndryshuar qeverisjen. Këtë e konfirmon puna që e bëjmë”.

“Nisma duhet të ndahet nga politikat e shurdhëta e të shikoj drejt në sy kërkesat e njerëzve. Bashkimi i socialdemokratëve e bën fuqinë që i duhet vendit dhe kombit tonë. Nisma do të ndihmojë sidomos të rejat dhe të rinjtë që punojnë në ambientet e tyre të punës e të jetës për një ardhmëri më të mirë. U bëjmë thirrje atyre të bashkohen me Nismën Social Demokrate”, shtoi Krasniqi.

Mes tjerash, Krasniqi foli edhe për gratë, që sipas tij, gjejnë vendin e merituar në këtë parti.

“Gruaja, nëna, në shpirt është solidare dhe ato askund nuk mund të gjejnë vetën sesa në Nismën Socialdemokrate”, theksoi Jakup Krasniqi.

Të ngjashme