Linja ajrore Kosovë-Serbi, Rashiti: SHBA-ja e përkushtuar, nuk pret për dialogun

Prishtinë | 21 Jan 2020 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, vlerësoi se marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Kosovë-Serbi shfaqë përkushtimin e SHBA-ve në procesin e dialogut në mes të këtyre dy vendeve.

Ai në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur për mesazhin që përçon kjo marrëveshje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës me këtë marrëveshje kanë treguar se nuk do të presin shumë, nuk kanë shumë durim dhe se do t’i përkushtohen dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, drejt arritjes së marrëveshjes së madhe”.

“Kjo marrëveshje gjithashtu është edhe një mesazh për LDK-në dhe Vetëvendosjen që janë duke u përpjekur të arrijmë marrëveshje koalicioni për formimin e qeverisë, se duhet të nguten dhe se agjenda e SHBA-ve në këtë proces nuk pret”.

Rashiti tha se në vijim do të ketë një numër të marrëveshjeve te tilla, në një tentim për të krijuar momentumin për arritjen e marrëveshjes finale, përderisa theksoi se SHBA-të janë kundër mënyrës së dialogut që është zhvilluar deri më tani nga BE-ja dhe se kërkojnë një kornizë shumë të qartë të dialogut.

Ai gjithashtu komentoi edhe detajet lidhur me marrëveshjen për hapjen e linjën ajrore Kosovë-Serbi.

“Marrëveshja ishte shumë e mbyllur në negocim. Të vetmin shqetësim që e kam është se nuk parasheh dhe nuk definon mirë njohjen e hapësirës ajrore në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse kalimthi nënkuptohet edhe njohja e hapësirës ajrore dhe bashkëpunimi në mes të autoriteteve të aviacionit civil”.

“Nuk duhet ta shohim marrëveshjen me shumë entuziazëm sepse ende duhet të shohim si do të funksionojë në praktikë. Nga e kaluara shohim se vënia në praktikë e një marrëveshje kaq komplekse ka vështirësi. Gjithashtu duhet të shihet edhe impakti ekonomik, se a do të ketë në të vërtetë udhëtime të tilla në një distancë kaq të vogël. Këto mbetet të shihen”.

Të ngjashme